Live

Aktakuzë në mungesë ndaj dy serbëve për vrasjen e një civili shqiptar e keqtrajtimin e gjashtë të tjerëve në Gjakovë

14:06 / 19 Shtator 2025

Nga Kosova Live

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj dy personave me inicialet L.D. dhe V.O., për krime lufte të kryera në Gjakovë gjatë periudhës 1998-1999.

Sipas aktakuzës, të pandehurit, duke vepruar së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, akuzohen për vrasje, keqtrajtime, arrestime, vjedhje dhe shkatërrim të pronës së popullsisë civile shqiptare.

Ngjarja kryesore e përshkruar në aktakuzë lidhet me datat 25 dhe 26 mars 1999, kur në rrugën “Tahir Efendiu” në Gjakovë, gjatë një aksioni policor, është vrarë një civil shqiptar dhe janë keqtrajtuar gjashtë të tjerë, raporton Klankosova.tv.

Prokuroria sqaron se të pandehurit kishin rrethuar shtëpinë e të dëmtuarit N.K., ku ndodheshin disa civilë të tjerë, N.K., M.M., S. G., B.G., B.Sh., A.C., dhe Q. Sh., të cilët fillimisht janë keqtrajtuar psiqikisht dhe fizikisht dhe më pastaj janë detyruar  të ngarkojnë materiale humanitare të shoqatës “Nënë Tereza” në një kamion të policisë. Më pas, ata janë arrestuar dhe dërguar në stacionin policor të Gjakovës.

Në njoftim tutje thuhet se në stacionin e Policisë, civilët janë ndarë nëpër qeli të ndryshme, ku kanë qëndruar për 24 orë pa ushqim, pa ujë dhe pa ndihmë mjekësore, duke u rrahur dhe maltretuar vazhdimisht nga ana e të pandehurve dhe pjesëtarëve të tjerë të policisë serbe me shufra gome, shqelma dhe grushte.

I arrestuari M.M., në ditën kur është nxjerrë nga qelia, më 26 mars 1999 , ishte gjetur i vrarë në afërsi të urës së Taliqit, në Gjakovë.

Shpërndaje në

U Kopjua