Policia ka dhënë detaje lidhur me alarmin e rrejshëm se brenda “Gate Club” kishte mjet shpërthyes rreth orës 00:30.
Për Klankosova.tv, zëdhënësi policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, ka pohuar se menjëherë në vendin e ngjarjes dolën njësitë e specializuara policore, përfshirë edhe njësia për menaxhimin e mjeteve shpërthyese si dhe njësiti K9 (qentë gjurmues).
“Pas evakuimit si dhe kontrollit të plotë të hapësirave nga njësitë përkatëse, është konstatuar se nuk ka asnjë mjet shpërthyes dhe se informata ka qenë e rrejshme”.
“Rasti është referuar tek prokurori kompetent, dhe hetuesit policorë do të vazhdojnë procedurat hetimore për të sqaruar rrethanat dhe burimin e informacionit”, ka thënë Borovci.
I njëjti ka thënë se Policia falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe u bën thirrje të gjithëve që të shmangin shpërndarjen e informatave të pabazuara, pasi ato shkaktojnë panik të panevojshëm dhe mobilizim të resurseve shtetërore.