Live

Ambasadorët e huaj nuk qëndruan me deputetët që e vazhduan seancën

13:01 / 25 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Ambasadorë nga vendeve perëndimore, përfshirë përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës, si dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, sot morën pjesë në vazhdimin e 52-të të seancës konstituive me mendimin se mund të kishte qenë e fundit brenda afatit 30-ditor që e caktoi në qershor Gjykata Kushtetuese.

Prezenca e tyre nuk ndikoi që deputetët të konstituonin Kuvendin e Kosovës meqë partia e parë, Lëvizja Vetëvendosje, vazhdoi me skenarin e njëjtë që e udhëheq kryesuesi i seancës, Avni Dehari, me hedhjen në votim të Komisionit për votim të fshehtë, i cili për dhjetëra herë s’gjeti mbështetjen e nevojshme nga partitë tjera, raporton Gazeta Express.

Seanca dështoi sërish për ta provuar nesër kur edhe do të jetë dita e fundit që deputetët mund të mblidhen.

Deputetët e partive që ishin në opozitë legjislaturën e kaluar edhe sot qëndruan në sallën e Kuvendit për të shfrytëzuar foltoren që po ua mohon kryesuesi Dehari.

Megjithatë, bashkë me ta s’qëndruan ambasadorët meq ata u larguan nga salla në momentin që kryesuesi e ndërpreu seancën.

Seanca do të vazhdojë nesër nga ora 14:00 para se të hyjë në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese për dy javë pezullim të punës së deputetëve që s’e ekzekutuan urdhrin e saj për të konstituuar Kuvendin brenda 30 ditëve.

Shpërndaje në

U Kopjua