Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në një shkrim autorial të publikuar në Koha.net, në tre vjetorin e fillimit të luftës në Ukrainë, ka thënë se Evropa duhet të bëjë më shumë për sigurinë, duke e cilësuar këtë si kohë sprove.
Në këtë shkrim, që është shpërndarë edhe në faqen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Facebook, ai ka përmendur edhe Kosovën, ku ka thënë se vendi duhet të ketë koordinim dhe bashkëpunim të përpiktë me partnerët e saj të NATO’s, meqë ata garantojnë sigurinë dhe mbrojtjen e saj.
“Dhe për Kosovën, siguria dhe mbrojtja e së cilës janë të garantuara nga partnerët e saj të NATO-s, kjo nënkupton koordinim dhe bashkëpunim të përpiktë me këta partnerë për të minimizuar rreziqet e sigurisë dhe për të përshpejtuar rrugën drejt një pranie minimale”, ka shkruar ambasadori britanik.
Hargreaves ka thënë se gjatë këtyre tri viteve, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe populli ukrainas kanë treguar se çfarë është rezilienca, liria e vërtetë dhe demokracia. Ai ka shtuar se janë krenarë për bashkëpunimin me Kosovën për të mbështetur rezistencën e Ukrainës, duke përmendur kontigjentin e instruktorëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që është nisur për në Mbretërinë e Bashkuar në janar, për t’u bërë pjesë e programit për trajnimin e ushtarëve ukrainas.
Lidhur me mesazhin e administratës Trump që u dha në Konferencën e Sigurisë në Mynih, Hargreavas thotë se disa në Evropë mund të mos e kenë pëlqyer, por se të të gjithë duhet t’i përgjigjen, e të bëjnë më shumë për sigurinë.
“Në një botë gjithnjë e më të rrezikshme, ne mund të mbajmë vendet tona të sigurta vetëm nëse punojmë së bashku: ky ishte mesazhi që kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, kishte çuar në Bruksel dhjetë ditë më parë, në Samitin e BE-së mbi mbrojtjen dhe sigurinë. Kjo do të thotë që Evropa duhet të investojë më shumë në mbrojtje për të mirën tonë dhe për të siguruar që SHBA-ja të mbetet e përkushtuar për të luajtur rolin e saj thelbësor në sigurinë transatlantike”, ka shkruar Hargreavas.
Ai ka theksuar se Britania do të investojë më shumë në mbrojtjen e vet dhe do të jetë ambicioze për bashkëpunim më të madh MB-BE dhe për një rol të zgjeruar evropian në NATO.
“Në lidhje me Ukrainën, Evropa duhet të luajë rolin e saj të plotë në përpjekjet më të gjera për të siguruar paqe të fortë dhe të qëndrueshme që siguron lirinë dhe prosperitetin e Ukrainës dhe parandalon agresionin e ardhshëm rus. Një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme është jetike për Ukrainën dhe për sigurinë dhe prosperitetin më të gjerë euro-atlantik dhe ndërkombëtar. Kjo do të kërkojë aranzhime të forta sigurie nga fillimi, të cilat sigurojnë që Rusia të mos jetë kurrë më në gjendje të pushtojë sërish. Putini ka treguar shumë herë se nuk ngurron të thyejë një marrëveshje të dobët”, thuhet në shkrimin e tij.