Live

Ambasadori britanik rithekson mbështetjen për Gjykatën Supreme

12:07 / 23 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi ka pritur sot në takim Ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin, sipas njoftimit për media, ka diskutuar lidhur me gjendjen e fundit në vend, reformën në gjyqësor dhe sfidat me të cilat po përballet ky sistem.

Sipas njoftimit, “Rexhepi duke shprehur mirënjohjen e thellë për mbështetjen e Britanisë ndaj Kosovës, gjyqësorit dhe Gjykatës Supreme në veçanti, bëri të ditur para Ambasadorit punën e jashtëzakonshme që është bërë nga gjithë sistemi gjyqësor, sidomos viteve të fundit, përkundër sfidave të vazhdueshme, me të cilat po përballet ky sistem”.

“Kreu i Supremes sqaroi faktin se përkundër zhvillimeve të fundit, gjyqësori qëndron larg ndikimeve politike, i pavarur, llogaridhënës dhe transparent për punën e tij”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, thuhet se Hargreaves ka riktheksuar mbështetjen e Britanisë së Madhe ndaj Gjykatës Supreme, duke potencuar rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së gjyqësorit.

Shpërndaje në

U Kopjua