Avokati, Arianit Koci ka thënë se glukoza pas gjashtë muajsh në mungesë, është rikthyer në barnatoret e Kosovës.
Infuzioni i cili është prodhim serb, Koci shkruan se është jetik për pacientët.
Statusi i plotë:
Gjashtë muaj me radhë nuk ka pasur glukozë (infuzion) 5% në treg.
Ky është një produkt thelbësor – jetik për pacientët që kanë nevojë për terapi intravenoze.
Këto ditë, pas një mungese të gjatë, glukoza është rikthyer në barnatore – si produkt i Serbisë, nga kompania Hemofarm, Vršac.
——-
Sot pata nevojë për një ilaç. S’kishte askund. U bëra nervoz, e pyeta farmacistin pse mungon. M’u përgjigj:
“Shkaktari kryesor është nivelizimi amatoresk i çmimeve. Është bërë nga qeveria, pa asnjë analizë të tregut.”
Krejt pasditja m’u humb duke kërkuar. Ilaçin nuk e gjeta.
Si duket, vendimi për nivelizimin e çmimeve ka qenë fatal për furnizimin me barna.
Çmimet janë vendosur në mënyrë të ngurtë dhe të palogjikshme, duke i bërë të paarsyeshme importet për depot farmaceutike.
Rezultati është i prekshëm: mungesë e madhe e barnave esenciale.
Nuk është thjesht një dështim teknik. Është pasojë e drejtpërdrejtë e arrogancës, amatorizmit dhe papërgjegjësisë në vendimmarrje.
Dhe si zakonisht, pasojat i bartin qytetarët – me shëndetin dhe jetën e tyre.