Live

ARKEP: Telekomi dhe Dardafoni të mos marrin veprime të njëanshme

10:42 / 07 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Bordi i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare ( ARKEP) ka pritur të mërkurën në takime të ndara përfaqësuesit e ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës sh.a. dhe përfaqësuesit e ndërmarrjes Dardafon.net, për të kërkuar sqarimet e nevojshme në lidhje me procesin e tranzicionit pas mos-vazhdimin e raportit komercial ndërmjet palëve, thuhet në një njoftim të ARKEP-it.

Bordi i ARKEP është njoftuar nga këto ndërmarrje me veprimet e ndërmarra deri me tani, pas njoftimit për mos-vazhdimin e raportit komercial nga Telekomi i Kosovës.

Duke pasur parasysh rëndësinë e këtij procesi si dhe me qellim të zbatimit të plotë të Kornizës Rregullatore, ARKEP ka kërkuar që deri në përmbyllje të procesit palët e involvuara në këtë proces të mos-ndërmarrin veprime të njëanshëme të cilat do të mund të dëmtonin konsumatorin, me të cilën kërkesë janë pajtuar të dy palët.

Sipas këtij njoftimi Operatori Dardafon.net gjatë kësaj faze të mos vendos në treg SiM kartela të reja, të mos krijoj pako/produkte të reja si dhe të mos hyjë në kontrata të reja me konsumatorët.

Më tej në njoftim thuhet se Bordi i ARKEP do ta njoftoj opinion me kohë për çdo hap që do të ndërmarrë në lidhje me këtë proces të cilin është duke e trajtuar me prioritet të lartë. Pas marrjes së informacioneve shtesë nga operatorët gjatë ditëve në vijim dhe analizimit të praktikave evropiane, ARKEP do të marr vendime nëse janë të nevojshme në lidhje me këtë proces, sidomos me qëllim të ruajtës së vazhdimësisë së shërbimit për konsumatorët.

Shpërndaje në

U Kopjua