Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tha se ngërçi institucional në vend mund të vazhdojë edhe pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, nëse partitë politike nuk arrijnë dakordim për formimin e institucioneve.
“Mendoj që zgjidhja është në vullnetin politik të këtyre subjekteve politike që sot janë pjesë e Kuvendit. Nuk e konsideroj problemin ose zgjidhjen në rrugë gjyqësore, sepse natyrisht gjykata duhet të vendos në një rrethanë ose tjetër, por kjo bllokadë mund të vazhdojë edhe pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese në këtë rast”, tha Qelaj për EO.
Ai theksoi se mungesa e institucioneve funksionale po e dëmton rëndë interesin publik dhe besimin e qytetarëve në sistemin demokratik.
“Prandaj thirrja ime është që të gjejnë mirëkuptim, të dakordohen dhe të gjejnë zgjidhje duke i dhënë drejtim kësaj çështjejem, qoftë me konstituim të institucioneve, qoftë me zgjidhje të tjera, por të cilat nuk e lënë këtë status quo, sepse nga kjo përveç që humbet qytetari, humbasin edhe vetë institucionet nga se bie besimi i publikut në këto institucione”, shtoi ai.