Naim Qelaj, Avokat i Popullit, ka thënë se Gjykata Speciale në Hagë nuk ia kishte lejuar takimin me ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, në kohën kur mbahej në paraburgim.
Mustafa të premten u dënua me 26 vjet burgim për krime lufte. Qelaj, në një intervistë për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se ka ngritur shqetësimet në lidhje me kushtet që Mustafa po mbahej në burgun në Hagë.
“Të Mustafa ne kemi ngritë një shqetësim, që lidhet me kushtet që është mbajt në burg. Kufizimet që janë vendosur brenda burgut, kemi kërkuar sqarime edhe nga gjykata, Kryetarja e Dhomave të Specializuara edhe nga Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara. Nuk kemi përgjigje. Fakti që atij i është kufizuar për një periudhe shumë të gjatë kontakti me personat tjerë, për neve ka qenë shqetësim”, ka thënë Qelaj.
Qelaj ka deklaruar se kontaktet e Mustafës me familje ishin zhvilluar në rrethana të papërshtatshme që nuk i përmbushin standardet në të cilat duhet të trajtohet një i burgosur.
“Veç kësaj shqetësim tjetër ka qenë fakti që as mua si Avokat i Popullit nuk na kanë leju me e taku duke u thirrur në një vendim të gjykatës, i cili nuk është publik dhe për mua ka qenë pak shqetësuese edhe befasuese në të njëjtën kohë, për arsye se vendimet me të cilat preken të drejtat e garantuara të njeriut nuk mund të jenë konfidenciale, përtej asaj që paraqet cenim dhe rrezik për siguri ose të rrethanave kur e dëmton vetë të akuzuarin ose persona që janë të involvuar në proces. Përndryshe parimi i publicitetit është një prej parimeve që dominon në sistemin tonë të drejtësisë dhe për mua ka qenë e palogjikshme dhe e paarsyeshme me mbajt fshehtë një vendim, i cili një personi që e ka të kufizuar lirinë edhe brenda atij kufizimi t’i vendosen kufizime për një afat aq të gjatë”, ka shtuar tutje Qelaj.
Ndër të tjera, ai ka shtuar se roli dhe mandati që e ka avokati i Dhomave të Specializuara dhe nuk është duke e përmbushur.
“Standardet në të cilat u ndërtua ky mekanizëm nuk i plotësojnë as parimet e përcaktuara në Ligj të Avokatit të Popullit ose në Kushtetutë, po as parimet mbi të cilat funksionojnë Avokati i Popullit. Pra, mendoj që kjo lë boshllëk të dyfishtë të monitorimit të mbikëqyrjes”, ka thënë Qelaj.