Live

Bajrami: 1 qershori të shënohet si “ditë e mafisë energjetike” në Kosovë

13:46 / 01 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka sugjeruar që 1 qershori të shënohet si “ditë e mafisë energjetike në Kosovë”
Bajrami tha se në katër vitet e fundit, nën qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, është ndërtuar një rrjet i strukturuar i përfitimeve të paligjshme në sektorin e energjisë, me emra konkretë dhe lidhje të drejtpërdrejta politike.

“Struktura e mafisë energjetike nisi në ditët e para të qeverisjes së Vetëvendosjes. Kurti e pati dërguar në KEK Nagip Krasniqin që ishte kryesues i Komitetit të Energjisë në Vetëvendosje. Nagipi tash po përballet me aktakuza për korrupsion. Pastaj, Martin Berishaj brenda 24 orëve u pajis me pasaportë diplomatike dhe u emërua ambasador. I njëjti paguhej nga kompanitë energjetike përfshirë GEN-in. Në gjithë këtë situatë, përmes faturave, EFT-ja e Vuk Hamoviçit përfiton miliona euro në kurriz të qytetarëve të Kosovës.Kjo nuk është rastësi, këtu nuk ka më hapësirë për mbulesë, sepse tashmë po e shohim të gjithë skemën e ndërtuar me qëllime të qarta, atë të pasurimit të disa individëve në kurriz të qytetarëve dhe të ekonomisë së vendit”, tha ajo.

“Çmimi i energjisë në qeverisjen e Kurtit ka shënuar rritje rekorde. Dhe, mbrëmë sërish u paralajmërua shtrenjtim i rrymës. Shihni faturat, shiheni faturën e muajit maj dhe krahasone me majin e vitit 2024, 2023, 2022 dhe 2021. Kosova kurrë nuk ka importuar më shumë energji sesa në këto katër vitet e fundit. Sot, rreth 1300 ndërmarrje që punësojnë gjysmën e atyre që punojnë në sektorin privat dhe që gjenerojnë gjysmën e buxhetit të Kosovës, po dalin në një treg të hapur të energjisë i cili nuk ekziston, ndërsa fatura e energjisë po u trefishohet”, shtoi Bajrami.

Shpërndaje në

U Kopjua