Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se inflacioni në Kosovë ka pësuar rritje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Sipas saj, inflacioni për muajin gusht të këtij viti është 4.5 për qind më i lartë sesa i gushtit të vitit të kaluar.
Bajrami madje ironizoi me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, se si do ta cilësonte këtë lajm pasi ky i fundit tha sot se Kosova ka shënuar rritje ekonomike.
“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, për muajin gusht 2025 inflacioni është 4.5% më i lartë se në muajin gusht 2024”, ka thënë Bajrami në Facebook.
“Pyeteni Hekuran Muratin se çfarë lajmi është ky për Kosovën”.
“Një lajm i mirë për fundjavë. Ekonomia e vendit po vazhdon rritjen – Bruto Produkti Vendor rritet me 4.58% në TM2 2025. ASK dje ka publikuar rritjen ekonomike për tremujorin e dytë të këtij viti (prill-qershor), e cila shënon 4.58%, e që krahasuar me TM2 2024 e cila ishte 4.32%, len të kuptohet se kemi përshpejtim të rritjes”, u shpreh ai përmes një postimi në Facebook.
Ai theksoi se edhe kësaj radhe, “faktet dhe shifrat demantojnë pretendimet opozitare për kahjen ekonomike të vendit”.