Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pasi ZRrE u ka bërë thirrje bizneseve që të lidhin kontrata me operatorë privatë të furnizimit me energji, shkruan Periskopi.
Bajrami përmes një postimi në Facebook, tha se prej 1 qershorit, imoprti i energjisë elektrike është rritur tetë herë, ndërsa bizneset ende nuk e dinë sa do të jenë faturat e qershorit e të korrikut.
“I bëj thirrje Prokurorisë që të hetojë tërë zinxhirin vendimmarrës në sektorin e energjisë. Nuk mundemi me sakrifiku krejt shtetin për fitimet e tregtarëve të energjisë dhe lidhjeve të tyre me pushtetarë”, shkroi Bajrami mes tjerash.
Postimi i plotë:
Zyra e Rregullatorit për Energji, si një ndër akterët kryesorë që bart mbi supe përgjegjësinë për gjithçka që po ndodh në sektorin e energjisë në vend, sot paska dalë me një thirrje skandaloze.
Si mund t’u bëni thirrje bizneseve të lidhin kontrata me operatorë privatë të furnizimit me energji, kur vetë KEK-u, si furnizues i mundësisë së fundit, ende nuk i ka faturuar bizneset për muajin qershor?
A keni ju ndonjë përgjegjësi ju për këtë?
Çfarë thotë udhëzuesi juaj për faturimin?
E vetmja gjë që dihet është se prej 1 qershorit, kur bizneset kanë dalë në ”treg të lirë”, importi i energjisë elektrike është rritur TETË HERË.
Pra, këto biznese ende nuk e dinë sa do të jenë faturat e qershorit e të korrikut, ndërkohë ju u bëni thirrje të lidhin kontrata me operatorë privatë/tregtarë të energjisë.
Ju nuk po merreni me realitetin e këtyre bizneseve. Ju po e injoroni faktin se fatura e qershorit dhe ofertat nga operatorët privatë janë faktorët vendimtarë nëse këto biznese do të vazhdojnë operimin apo jo.
Prandaj, pa asnjë fije përgjegjësie, bëni thirrje të tilla absurde.
Çka do të bëni me 1 gusht për bizneset të cilat nuk do të lidhin kontrata?
– do t’i leni pa rrymë,
-do t’i mbyllni ato,
-do t’i leni mbi 100 mijë punëtorë në rrugë,
Edhe një gjë: paskeni thënë se Gjykata ju ka dhënë të drejtë, por s’po dihet ku dhe kur, sepse në muajin e fundit ne jemi dëshmitarë të dhjetëra vendimeve të Gjykatës Komerciale, të cilat janë në favor të bizneseve jo në favor tuajin.
I bëj thirrje Prokurorisë që të hetojë tërë zinxhirin vendimmarrës në sektorin e energjisë. Nuk mundemi me sakrifiku krejt shtetin për fitimet e tregtarëve të energjisë dhe lidhjeve të tyre me pushtetarë.