Banka Botërore ka projeksionuar sfida të reja për ekonominë globale, të shënuara nga ngadalësimi i ndjeshëm i rritjes dhe tensionet e përshkallëzuara tregtare. Në raportin e saj të fundit “Perspektivat Ekonomike Globale”, Banka Botërore ka rishikuar parashikimet e saj, duke ulur projeksionet e rritjeve ekonomike të Kosovë për vitet 2025 dhe 2026.
Sipas raportit të publikuar të martën, rritja globale për vitin 2025 parashikohet të bjerë me 0.4 pikë përqindjeje, duke arritur në vetëm 2.3 për qind. Shkaktarët kryesorë mbeten tarifat e larta dhe niveli i paparashikueshmërisë, të cilat po ndikojnë në pothuajse të gjitha ekonomitë, nga fuqitë më të mëdha ekonomike deri te tregjet në zhvillim.
Në kuadër të trendit global, as Kosova nuk bën përjashtim. Rritja ekonomike për vitin 2024 parashikohet të arrijë në 4.4 për qind. Ndërsa për vitet 2025, 2026 dhe 2027, rritja vlerësohet të jetë 3.8 për qind për secilin vit. Krahasuar me parashikimet e muajit janar, rritja për vitin 2025 është ulur me 0.1 pikë përqindje, ndërsa për vitin 2026 është ulur me 0.2 pikë përqindjeje.

Ndonëse projeksionet e rritjes për Kosovën mbeten më të larta krahasuar me ato të vendeve fqinje, mbesin nën mesataren e periudhës para pandemisë së Covid-19. Gjatë 8 nga 11 vitet para pandemisë, rritja ekonomike ka qenë mbi 4 për qind, ndërsa në 5 prej tyre ka tejkaluar nivelin prej 5 për qind.
Kosova përjetoi rrjedhë negative të rritjes ekonomike që nga viti 2022, duke u shkëputur nga trendet e qëndrueshme të dekadës së kaluar. Me një parashikim për një rritje prej vetëm 4.3 për qind këtë vit, ekonomia e vendit mbetet larg potencialit të saj, të dëshmuar mes viteve 2009-2019.
Projeksionet e Bankës Botërore mbeten dukshëm më konservative në krahasim me ato të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila në fillim të vitit parashikoi një rritje ekonomike prej 4.2% për vitin 2025 dhe 4.4% për vitin 2026.
Përkundër që Kosova nuk e arriti as rimëkëmbjen nga pandemia, deputeti i VV-së, Albin Kurti, vazhdon të pretendoj se gjatë kohës së qeverisë Kurti 2, Kosova pati performancë të mirë të rritjes ekonomike.
Sipas të dhënave të Bankës Botërore, të prezantuara nga ish-zëvendësministri në MEPTINS, Edison Jakurti, ekonomia e Kosovës deri në vitin 2023 rezulton se ende nuk është rimëkëmbur plotësisht nga pandemia.
Eksperti i ekonomisë, Edison Jakurti, kishte shpjeguar se hendeku mes BPV-së aktuale dhe asaj që mund të ishte nëse rritja do të ndiqte ritmin 10-vjeçar para-pandemik ishte mbi -2 miliardë dollarë realë deri në vitin 2023.
“Deri në vitin 2023, ku bëjnë pjesë tre ose më shumë vite nga hapja e ekonomisë, meqë shumë masa kanë filluar të largohen qysh në pjesën e dytë të 2020, ekonomia e Kosovës mbetet nën trendin para-pandemik. Thënë ndryshe, deri në vitin 2023, ekonomia e Kosovës nuk është rimëkëmbur nga pandemia. Prej vitit 2020 e tutje hendeku mes BPV të realizuar dhe një BPV që do ta ndiqte trendin para-pandemik është mbi -2 miliardë dollarë realë, 1.3 nga të cilët janë vetëm në periudhën post-pandemike 2021-2023.” – ka thënë Jakurti.