Live

Barduani viziton Batalionin e Inteligjencës së KFOR-it

20:12 / 09 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Komandanti i KFOR-it, Gjeneralmajor Enrico Barduani, e ka vizituar sot kontingjentin shumëkombësh të BENELUX (Belgjikë, Holandë, Luksemburg) në Kampin në Novo Selë.

Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi nga Misioni i NATO-s në Kosovë.

“Kontingjenti, i caktuar në Batalionin e Inteligjencës, Mbikëqyrjes dhe Zbulimi të KFOR-it, ofron aftësi të vlefshme të UAS (Sistemit Ajror Pa Pilot) që kontribuojnë në ruajtjen e vetëdijes së azhurnuar për situatën për Komandantin e Misionit të KFOR-it”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.

Gjatë vizitës së tij, Barduani shprehu mirënjohjen e tij për ushtarët e kontingjentit shumëkombësh, të vendosur së fundmi në Kosovë, për kontributin dhe përkushtimin e tyre të vlefshëm për të siguruar një mjedis të sigurt.

KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Sundimit të Ligjit të Bashkimit Evropian në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.

Shpërndaje në

U Kopjua