Lideri suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, nuk është parë në publik që nga sulmi izraelit ndaj Iranit më 13 qershor, duke nxitur spekulime për gjendjen e tij shëndetësore dhe sigurinë.
Raportime të pakonfirmuara sugjerojnë se ai është larguar nga vendbanimi i tij i zakonshëm në Teheran dhe është strehuar në një bunker të sigurt, prej nga ku po dërgon mesazhe të regjistruara për mediat shtetërore.
Në një video të fundit të publikuar sot, Khamenei dukej i lodhur dhe foli ngadalë. Sfondi i mesazhit ishte i njëjtë me fjalimet e mëhershme, përfshirë flamurin e Republikës Islamike dhe fotografinë e themeluesit Ruhollah Khomeini.
BBC vëren se videoja kishte disa prerje dhe ndryshime teknike të rregulluara krahasuar me fjalimet e mëparshme.
Sipas spekulimeve të mediave ndërkombëtare, lideri iranian mund të ndjekë shembullin e ish-udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah, duke kufizuar paraqitjet publike dhe duke komunikuar vetëm përmes videove të regjistruara.
Herën e fundit që ai u shfaq në publik ishte më 11 qershor, gjatë një takimi me anëtarë të parlamentit iranian.
Që atëherë, të gjitha paraqitjet e tij kanë qenë në formë mesazhesh të regjistruara, përfshirë edhe refuzimin e thirrjes së presidentit amerikan Donald Trump për një “dorëzim pa kushte” të Iranit.
Autoritetet iraniane ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht as vendndodhjen dhe as gjendjen aktuale të Khameneit.