Janë bërë më shumë se 6 javë nga përfundimi i zgjedhjeve dhe ende nuk ka certifikim të rezultateve.
Kjo për shkak të disa parregullsive që u evidentuan gjatë procesit të numërimit. Por edhe problemeve në formularët e prodhuar nga KQZ-ja.
E krejt këto kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hysen Berisha, po i vlerëson si elemente që lënduan tërë procesin zgjedhor.
Në një intervistë për EkonomiaOnline, Berisha thotë se institucionet e dala si rezultat i zgjedhjeve të 6 tetorit nga një proces i tillë i deformuar nuk do të jenë kredibile.
“Procesi i numërimit, pastaj gjetjet të cilat janë prezantuar vet nga kryetarja e KQZ-së znj. Daka, flasin për një proces të penalizuar, ngase ato që ajo ka adresuar, qofshin formularët e prodhuar gabim, qofshin veprimet e komisionerëve që kanë dëmtuar shumë vota. 40 mijë vota pothuajse janë votat e një partie më kalua pragun, por edhe qofshin veprimet e liderëve lokalë, të degëve të partive ndryshme, organizimin e komisionerëve për dëmtimin e votës, si elemente të penalizuara atëherë e sjellin në pikëpyetje edhe vet kredibilitetin e institucioneve që do të ndërtohen nga këto zgjedhje”, thotë si.
Pavarësisht ngjarjeve që ndodhen gjatë procesit të numërimit e rinumërimit, Hyseni thotë se partia nga ai vjen dëshiron që sa më shpejt të themelohen institucionet e reja.
Dhe për këtë thotë se nëse VV-së dhe LDK-së u duhet vota e tyre janë të gatshëm t’ia japin.
“Ne si subjekt kemi qëndrimin tonë në qoftë se vjen të ngërçi për numër simbolik votash brenda parlamentit, kryetari i PDK-së ka deklaruar se nëse vjen për një votë unë do të përkrah vetëm bëni institucionet. Unë personalisht mendoj se këto institucione duhet të bëhen. Do të provojmë të jemi opozitë konstruktive, ta mbështesim procesin politik në të gjitha temat e përbashkëta që janë të hapura për tërë Kosovën dhe kuptohet të bëjmë politikë opozitare ndaj temave që kanë të bëjnë me mirëqenien dhe çështje tjera të mirëqenies së qytetarëve brenda Kosovës”, thotë ai.
Berisha paralajmëroi se do të qëndrojnë stoik në respektimin e Kushtetutës së Kosovës dhe se do të përkrahin vetëm një marrëveshje të mundshme me Serbinë, e cila garanton kufijtë me të cilët Kosova u njoh nga më shumë se 100 shtete të botës.
Thotë se tendenca për korrigjim kufijsh qon në zhvillime të papritura në tërë Ballkanin.
“Bisedimet me Serbinë me objektivin që të ketë ndryshim kufijsh, korrigjime, shkëmbime, etj, tema që janë lansuar si thashetheme publike, përderisa për këto nuk ka një qëndrim të prerë të ShBA-së që janë sponsor i luftës, lirisë dhe shtetndërtimit të Kosovës. Unë i konsideroj të gjitha këto tendenca për ta devijuar Kosovën nga kompromisi i madh që ka arritur për Kosovën shtet të pavarur me diçka që do ta zhbënte Kosovën si shtet. Pastaj hapja e këtyre temave, do ta qojë edhe regjionin në zhvillime të tjera që nuk do të kursejnë më asnjë vend të fqinjëve të shqiptarëve”, thotë ai.
Berisha: Pa njohjen nga Serbia, Kosova s’mund të jetë pjesë e mini-shengenit
Ish-komandanti i luftës së Koshares, në këtë intervistë për EkonomiaOnline ka komentuar edhe nismën e vendeve fqinje për formimin e një platforme të quajtur Mini-shengen.
Ai këtë ide po e konsideron të rrezikshme dhe në dëm të Kosovës.
“Tendenca për të krijuar union të rinj shtetesh që po e quajnë tani mini-shengen, janë një revansh ndaj mbylljes që e deklaroi presidenti francez Macron. Shtetet nismëtare të këtij mini-shengeni duke dështuar të përmbushin obligimet standardet me të cilat mund të jenë pjesë e Evropës hapën një temë të re tash të krijimit të një mini-shengeni i cili do të përfshinte vendet e rajonit përfshirë edhe Kosovën”, thotë ai.
Berisha thotë se pa njohjen nga Serbia, përfaqësimi i Kosovës në këtë platformë është e pamundur dhe për këtë po e fajëson edhe kryeministrin shqiptar Edi Ramën.
“Kosova dhe Serbia ta rregullojnë raportin shtetëror në mes vete pra Serbia duhet ta njoh Kosovën si shtet ose Kosova duhet të heq dorë nga shtetësia e vet dhe t’i bashkohet Serbisë ose Shqipërisë përndryshe nuk ka shanse të jetë palë nënshkruese në një kohë që ajo nuk e njeh fare si shtet dhe e ka si pjesë të vetën, dhe një fazë që po e prezantojnë dhe që mund të jetë edhe fiktive Kosova nuk figuron fare dhe del kryeministri i Shqipërisë dhe na flet me teorinë e domateve se si Kosova duhet të jetë dhe si Kosova po vet izolohet”, thotë ai.
Mini-shengeni po kundërshtohet nga të gjithë liderët politikë në vend.