Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar pas përgjimeve të Hysri Selimit me BIA-n serbe.
Me rekomandim të kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiut Naim Tërnava, sot të gjithë imamët në mesazhin e “xhumasë” kanë folur për këtë çështje, dhe kanë thënë se Selimi me veprimtarinë e tij është munduar që të dëmtojë fenë islame.
“Ky rast, siç është raportuar nga mediat dhe institucionet relevante të sigurisë, ka të bëjë me një person që dyshohet se ka bashkëpunuar me shërbimet e sigurisë së Serbisë, me qëllim që të keqpërdorë fenë islame si pretekst për përhapjen e rrymave të dëmshme në mesin e rinisë sonë, për ta infektuar mendjen e tyre duke dëmtuar fenë tonë të pastër islame, imazhin e kombit dhe shtetit tonë të Kosovës”.
“Madje, ai person, në emër të fesë, për interesa të Serbisë, kishte shkuar edhe në Siri, në një luftë që ne prej fillimit e kemi sqaruar se nuk ka të bëjë asgjë me fenë islame, por që është shfrytëzuar për agjenda të ndryshme, kundër fesë tonë dhe kombit tonë”, thuhet në njoftim.
Ndër tjera, BIK ka thënë se këto veprime të Selimit janë kundër shtetit.
“Në këtë kontekst, përshëndesim veprimin e institucioneve tona të sigurisë dhe shprehim kundërshtimin e fortë ndaj çdo forme të përpjekjeve për instrumentalizimin e fesë për qëllime politike, propagandistike apo të spiunazhit. Këto veprime janë sulm ndaj shtetit, ndaj shoqërisë dhe sulmi më i madh ndaj vetë fesë së pastër islame”, thuhet në njoftim.