Biseda të reja dëshmojnë se si Dejona Mihali, një zyrtare e Lëvizjes Vetëvendosje, e komandonte ish-kryeshefin e KEK-ut, Nagip Krasniqi, edhe kur korporata përballej me sfida jetike. Krasniqi i bindej udhëzimeve të saj, bazuar në një nga bisedat të cilat i ka siguruar Paparaci. Koordinatorja e Komiteteve në LVV, përmes Krasniqit, arrinte qasje në informata të ndjeshme. Paparaci, sjell nesër biseda të tjera të kryeministrit Albin Kurti me Nagip Krasniqin dhe dëshminë e plotë të Dejona Mihalit në Prokurori.
Dejona Mihali, një zyrtare e Lëvizjes Vetëvendosje, pa certifikatë të sigurisë nga institucionet, ka arritur qasje në informata të klasifikuara përmes kontrollit mbi Nagip Krasniqin, ish-kryeshefin e KEK-ut, të akuzuar për korrupsion.
Nagip Krasniqi i raportonte Koordinatores së Komiteteve në LVV për çështje jetike të sistemit elektro-energjetik. Edhe kur vihej në dyshim siguria e furnizimit me rrymë.
Komunikimi mes tyre ishte zhvilluar në platformën e komunikimit, WhatsApp, më 2 korrik të vitit 2022 dhe është pjesë e hetimeve penale ndaj Nagip Krasniqit.
Gjatë bisedës, Krasniqi i raporton Mihalit për një informatë rreth dyshimeve për abuzimin e energjisë elektrike nga Korporata Energjetike e Shqipërisë (KESH), në shkelje të marrëveshjes për shkëmbim të energjisë mes KEK dhe KESH.
Sipas informatës që i kishte mbërritur ish-kryeshefit të KEK-ut, KESH po abuzonte me energjinë elektrike të cilën e importonte nga KEK-u si shkëmbim gjatë muajve të verës – konkretisht në muajt qershor dhe korrik 2022.
Pasi e pranon dokumentin, Mihali nis ta marrë në pyetje Krasniqin.
“Çka është kjo”, e pyet Mihali, ish-kryeshefin e KEK-ut.
“Kush e ka bërë dmth?”, pyet ajo.
“Arbëri ma dërgoj dje”, i përgjigjet Krasniqi. “Nuk e di autorin”.
Mihali e urdhëron Krasniqin që ta verifikojë informatën për abuzimin potencial të marrëveshjes nga ana e KESH-it.
“Në ndërkohë verifikoje me urgjencë me ta”, i thotë ajo, Krasniqit.
“I thuaj KESH na ka ardhur ky info. Jo tekstin, por supozimin për këtë manovër”.
Në vijim të bisedës, Nagip Krasniqi e njofton Mihalin për përpjekjet që të verifikojë informatën, sipas të cilës rrezikohej kthimi i borxhit të KESH-it ndaj KEK-ut gjatë dimrit, atëherë kur KEK ka më së shumti nevojë.
Mihali e shtyn Krasniqin që të marrë garanci nga KESH-i për kthimin e borxhit gjatë dimrit.
“Por e jona është të kemi garanci absolute që e marrim rrymën në nëntor. Veçanërisht dhjetor kur bien temperaturat në Kosovë”, thotë Mihali.
Tutje, Krasniqi i tregon detaje të marrëveshjes mes KEK dhe KESH.
“Në marrëveshje do jetë që ata duhet ta kthejnë në periudhën dhjetor-janar”, i përgjigjet ai.
Sipas informatës që i kishte mbërritur Krasniqit, KESH po abuzonte me energjinë e importuar nga KEK si shkëmbim duke e shitur atë në treg të lirë.
“KESH i detyrohet Korporatës Energjetike të Kosovës KEK një sasi prej rreth 45,000 kw/h ose afërsisht 15,750,000 Euro, referuar çmimit të energjisë elektrike në tregun e lirë. Aktualisht KEK është duke depozituar te KESH energji elektrike në vlerën e rreth 1,000,000 Euro në ditë”, thuhet në informatën që një sinjalizues ia kishte dërguar Nagip Krasniqit.
Sipas sinjalizuesit, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare kishte arritur të përfitonte afër 700 mijë euro nga abuzimi i energjisë elektrike që i depozitohej nga KEK.
“Po në të njëjtën kohë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) shikon të arsyeshme të zhvillojë procedurë për shitblerjen e energjisë elektrike për periudhën 27 qershor – 03 korrik, përfshirë shitjen e energjisë elektrike në profilet peak, të cilën e cilëson si optimizim”, thuhet në letrën e sinjalizuesit të cilën e ka siguruar Paparaci, e cila është pjesë e dosjes penale ndaj Nagip Krasniqit.
Në bisedat e asaj dite, Dejona Mihali merret edhe me gazetaren Jeta Xharra, drejtuese e mediumit Kallxo.com. I thotë Krasniqit se Xharra e ka marrë përsipër kundërshtimin e termocentraleve.
“Jeta Xharra e ka marrë përsipër të kundërshtojë termocentralet. Edhe ato pak që do të rindërtohen”, i thotë ajo, Krasniqit.
Paraprakisht, Mihali ia dërgon një shkrim të publikuar në portalin Kallxo.com, me titull: “Kritikë ndaj draftit të Strategjisë së Energjisë 2023 – 2031”.
Paparaci, publikoi sot disa biseda mes Albin Kurtit, Dejona Mihalit, Nagip Krasniqit e Artane Rizvanollit, të cilat dëshmojnë kontrollin e plotë të kryeministrit mbi shërbyesit e tij dhe njerëzit që i shërbejnë atij.
Këto biseda dëshmojnë se asnjë veprim nuk ndodhë pa të, qofshin këto të paligjshme siç është shkarkimi i njerëzve nga puna. Në njërën prej bisedave Kurti e porosit ish-kryeshefin të fillojë “spastrimet e shkarkimet” në KEK.
Komunikimet kanë ndodhur në platformën WhatsApp. Bisedat janë pjesë e një hetimi penal që rezultoi me dy aktakuza për korrupsion ndaj Nagip Krasniqit.