Përfaqësues të bizneseve nga e gjithë Kosova kanë nisur të mblidhen në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, ku nga ora 11:00 deri në 12:00 do të zhvillohet një protestë paqësore.
Protesta vjen si kundërshtim ndaj mënyrës së hyrjes së detyruar të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Kryetari i OEK-së, Lulzim Rafuna, tha më herët në një konferencë për media se kërkojnë nga Qeveria që të rishikojë vendimin, duke ofruar një afat njëvjeçar dhe një paketë ligjore që do të lehtësonte tranzicionin dhe do të mbronte interesat e bizneseve dhe qytetarëve.
Protesta pritet të zgjasë një orë dhe sipas organizatorëve do të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të organizuar.
Bizneset kanë kundërshtuar në vazhdimësi këtë vendim, dhe para disa ditësh patën zhvilluar një protestë.