Live

“Bomba për film” e çon peshë Gjakovën

09:53 / 03 Qershor 2025

Nga Kosova Live

Një ngjarje e çuditshme ka ndodhur të hënën në Gjakovë.

Atje në stacionin e autobusëve, punëtorët e një kompanie të transportit ndërurban e kanë gjetur një çantë e cila dyshohet se ishte bombë.

Menjëherë është njoftuar policia e cila e ka rrethuar vendin e ngjarjes.

Lidhur me këtë rast, detaje për Klankosova.tv kanë dhënë nga kompania Kushtrimi N&M.

“Është gjetur një çantë e cila është dyshuar se është bombë. Menjëherë është njoftuar policia e cila e ka rrethuar perimetrin e sigurisë në vendin e ngjarjes. Pas disa ekzaminimeve është konstatuar se aty nuk ka bombë”, thanë nga kjo kompani për Klankosova.tv.

“Aty ka qenë një mjet i improvizuar sikur bombë, e cila do të shërbente për aktrim, domethënë xhirimin e ndonjë skene të filmit, teatrit apo diçka e ngjashme”.

“Por, kompania nuk ka qenë e njoftuar fillimisht për këtë porosi, pra ai që e ka dërguar nuk ka njoftuar për këtë. Personi i cili e ka dërguar çantën nga stacioni i autobusëve në Prishtinë është identifikuar nga policia përmes kamerave dhe nuk e dimë se çka ka ndodhur me të”, theksuan nga kompania Kushtrimi N&M.

Klankosova.tv ka kontaktuar me policinë dhe prokurorinë por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka pranuar ndonjë përgjigje.

Shpërndaje në

U Kopjua