Shukri Buja ka reaguar me kundërshtim të hapur vendimin e djeshëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili në rigjykim la fajtor dhe e dënoi atë dhe nëntë të tjerë më një vit burg për rastin ‘’veteranët’’.
Duke qenë së është kandidat i PDK-së për kryetar të njërës prej komunave, ai thotë se ky vendim, është i pabazë dhe u bë në përpjekje për të ndaluar rrugëtimin e tij politik për të ndryshuar rrugën e gabuar që ka marrë Lipjani, transmeton klankosova.tv.
”Tentimi për të më ndalur në rrugëtimin tim politik, përmes një vendimi të pabazë, qesharak dhe politik, është i dështuar që në nisje. Asgjë dhe askush nuk do ta ndalë përpjekjen time për të ndryshuar drejtimin e gabuar që ka marrë Lipjani.
Unë kam respektuar dhe vazhdoj të respektoj organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, një shtet për të cilin kam sakrifikuar rininë time në burgjet serbe, kam luftuar për çlirim së bashku me bashkëluftëtarët, kam ndihmuar në ndërtimin e institucioneve, si dhe kam shërbyer me përkushtim e përgjegjësi në komunën tonë.
Edhe kur drejtësia merr vendime të padrejta e të motivuara politikisht unë nuk i mohoj, por i sfidoj me dinjitet dhe në rrugë ligjore.
Dua t’ju njoftoj se rrugëtimin tim politik për të udhëhequr Komunën e Lipjanit do ta vazhdoj me vendosmëri, sepse ligji nuk e ndalon kandidimin tim.
Vendimi i Gjykatës Themelore nuk është i formës së prerë dhe për këtë arsye unë do të vazhdoj betejën ligjore deri në fund.
U përballa me drejtësinë serbe, me drejtësinë ndërkombëtare dhe me sfida të shumta brenda institucioneve të shtetit tonë për më shumë se dy dekada dhe nga të gjitha dola i pastër dhe fitimtar.
Kjo e fundit? Një betejë e vogël, qesharake dhe e motivuar politikisht, dhe si e tillë do të përfundojë atje ku u takon vendimeve të padrejta: në shportën e mbeturinave historike.
Me nder dhe respekt,
Shukri Buja