Live

Cakolli i KDI-së: Presidentja e ka përmbushur detyrën, përgjegjësia bie mbi Kuvendin

15:51 / 15 Prill 2025

Nga Kosova Live

Pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë se përgjegjësia për hapat e mëtejmë tashmë bie mbi Kuvendin dhe partitë politike, kurse sa i përket rolit të presidentes Vjosa Osmani, ai tha se ka përfunduar me thirrjen e seancës.

“Në radhë të parë duhet ta bëjmë të qartë se Presidentja e vendit nuk ka rol konsultativ e as këshillues në raport me deputetë. Tash është në përgjegjësin e kryesuesit të seancës që të organizoj dhe të mbledh deputetë në një seancë të radhës më së largu 48 orë nga momenti i dështimit. Për shkak se nuk ka arsye që presidentja të caktojë një seancë të re. Në bazë të aktgjykimeve në fuqi të Gjykatës Kushtetuese seanca konstituive thirret vetëm një herë, ajo mund të dështojë sikur ka qenë përvoja në vitin 2014 përafërsisht 6 muaj. Kjo nënkupton që një seancë e re duhet të mbahet më së voni të enjten paradite. Por që proceduralisht nuk përjashtohet mundësi që qysh sonte të mblidhet një seancë e re. Unë besoj që Presidentja e vendit do të duhej që ta bënte të qartë se ajo ka përmbushur obligimin e saj ligjor. Tash është përgjegjësi e partive politike që të sillen jo vetëm me maturi politike por edhe në harmoni me të gjitha ligjet në fuqi”, tha ai.

Cakolli ngriti shqetësimin se mund të ketë bllokada në lidhje me pikën më të rëndësishëm, atë të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

“Unë besoj që pika e tretë e rendit të ditës, ajo e zgjedhjes së kryetarit, besoj që do të jetë më problematikja. Sepse aty VV si partia më e madhe e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit nuk ka as një kufizim kohor brenda së cilit duhet ta propozojë emrin e kandidatit për kryetar. Në bazë të dy përvojave nga e kaluara ku në vitin 2017, koalicioni PAN në atë kohë nuk kishte propozuar emrin e kandidatit për kryetar në kohë por ngjashëm edhe në vitin 2014 PDK nuk e kishte bërë këtë. Ekziston mundësia që VV të mos e jap emrin duke shkaktuar një bllokadë të re. Edhe në atë situatë duhet që të thirren seanca çdo 48 orë, në mungesë të një afati nuk përcaktohet periudhë brenda së cilës VV-ja duhet ta dorëzojë emrin, sado që në kuptim të funksionimit kushtetues të institucioneve këtë duhet ta bëjë sa më parë”, theksoi Cakolli.

Ai tha se afati 48 orësh mund të krijojë edhe terren për interpretime kushtetuese, në rast të një refuzimi të vazhdueshëm për propozimin e Kryetarit të Kuvendit.

“Ekzistimi i këtij 48 orëshi mund të shërbejë si bazë juridike për kontestim në Gjykatën Kushtetuese në kuptimin e një interpretimi se a mund të konsumohet e drejta për propozimin e kryetarit të Kuvendit në rast se partia që e ka këtë të drejtë refuzon ta bëjë një gjë të tillë për disa seanca me radhë. Ngjashëm sikur ka qenë situata më vitin 2020, kur kryeministri në atë kohë i shkarkuar Kurti refuzonte që të jepte emrin e mandatarit për kryeministër e që gjykata kishte konstatuar që e drejta që buron nga Kushtetuta nuk mund të merret dhe nuk mund të interpretohet në funksion të bllokimit të institucioneve”, shtoi ai.

Me këtë rast, Eugen Cakolli i KDI-së, ka kritikuar mënyrën dhe kohën e dorëheqjeve të ministrave dhe kryeministrit.

Cakolli këtë po e konsideron si sinjal për krizë institucionale të mundshme.

“Në fakt duke qenë se është dashur që këto dorëheqje të deponohen jo sot e dje por para disa javësh kur janë certifikuar zgjedhjet, nuk ka as një interpretim tjetër ligjor e logjik se pse nuk janë deponuar dorëheqjet në kohën e duhur e së dyti sipas procedurave protokollare. Normalisht mungesa e votave të VV-së për ta kaluar raportin është indikator që mungojnë numrat edhe për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit por që në parim është ende hapi i parë dhe dështimi në të është tregues mjaft i keq se mund të ballafaqohemi me situata të bllokadave institucionale”, tha ajo.

Shpërndaje në

U Kopjua