Për dallim me komunat tjera, sipas Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, komunave me shumicë serbe u takojnë kompetenca të zgjeruara në fushat e arsimit, shëndetësisë dhe pjesërisht të sigurisë.
Ekspertë të qeverisjes lokale thonë se këto komuna i kanë të gjitha mekanizmat për bashkëpunim ndërkomunal, por që nga Asociacioni i Komunave të Kosovës tregojnë se katër komunat veriore të Kosovës refuzojnë të bashkëpunojnë me ta qe gati 20 vjet.
Kompetenca shtesë për komunat me shumicë serbe është fjali që ka qarkulluar edhe para disa viteve.
Madje, sipas Bekim Salihut nga Instituti “GAP”, sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, komunave me shumicë serbe iu janë dhënë kompetenca të zgjeruara në disa fusha, arsim, shëndetësi dhe pjesërisht të sigurisë.
“Në fushën e shëndetësisë Graçanicë, Shtërpca dhe Mitrovicës e Veriut kanë të drejtë të kenë edhe spitale, përderisa komunat tjera shqiptare nuk e kanë këtë të drejtë”, ka thënë Bekim Salihu, Instituti “GAP”.
Këto tri komuna sipas Salihut kanë më shumë kompetenca edhe në fushën e sigurisë dhe të arsimit.
“Komuna e Graçanicës, komuna e Mitrovicës Veriore dhe komuna e Shtërpcës kanë të drejtë të propozojnë komandantin e stacionit policor. T’i propozojnë ministrisë së Punëve të Brendshme dy emra…Arsimi në këto komuna kryesisht zhvillohet nga strukturat paralele, të cilat nuk i pranojnë udhëzimet dhe ligjet e Kosovës, dhe rrjedhimisht nga kjo udhëhiqen nga plan-programet e Serbisë. Kurrikula duhet të bëhet nga ministria e Arsimit e Kosovës”, ka deklaruar Bekim Salihu, Instituti “GAP” Fusha e sigurisë.
Mitrovica Veriore për dallim me të tjerat ka po ashtu kompetenca për menaxhimin e shkollimit të lartë, ndërkaq bashkë me komunat tjera të gjitha paratë që vijnë nga zhdoganimi në pikat kufitare 1-31 në Bërnjak dhe Jarinjë, shkojnë në buxhetin komunal.
Salihu thotë se këto komuna e në përgjithësi të gjitha në raport me njëra tjetrën e kanë të gjithë kornizën ligjore në dispozicion dhe nuk kanë asnjë pengesë për bashkëpunim.
Në raport me Asociacionin e Komunave të Kosovës komunat veriore del se hezitojnë të bashkëpunojnë.
“Komunat veriore të jem i sinqertë kanë marrë pjesë deri në vitin 2003, në aktivitet te Asociacionit të Komunave të Kosovës, por pastaj pas zhvillimeve politike në atë kohë ata patën filluar të mos marrin pjesë në aktivitete tona”, ka theksuar Sazan Ibrahimi, Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Sazani thotë se 6 komunat tjera me shumicë serbe në jug të Kosovës marrin pjesë ne aktivitete dhe paguajnë anëtarësi, ndërkaq njëri nga anëtarët e Bordit të Asociacionit është nga komuniteti serb dhe është kryetar i Komunës së Parteshit./Dukagjini