Live

Cilat janë tri vendet turistike që do të financohen përmes projektit të Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)

18:27 / 11 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Ksamili, Borshi dhe Orikumi janë 3 zona të tjera turistike që do të financohen përmes projektit të Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për përmirësimin e infrastrukturës urbane, nxitjen e turizmit dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për të mbështetur turizmin dhe zhvillimin e ekonomisë lokale.

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave ratifikoi sot marrëveshjen e huas për financimin shtesë prej 30 milionë eurosh për projektin e zhvillimit të integruar urban dhe turizmin, me Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ndërhyrjet do të ndikojnë në përmirësimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të zonave, që më tej përkthehen në zhvillim ekonomik.

Marrëveshja e nënshkruar mes qeverisë shqiptare dhe BERZH-it në vitin 2017 parashikonte ndërhyrjen në qendrat urbane, rikualifikimin urban dhe përmirësimin e infrastrukturës, ndërhyrje në sitet turistike dhe zhvillimin e marketingut të produktit, në Sarandë, Gjirokastër, Berat dhe Përmet.

Tashmë pjesë e projektit do të jenë edhe Ksamili, Borshi dhe Orikumi, që plotësojnë këtë itinerar të larmishëm të Shqipërisë së Jugut.

Projekti për zhvillimin e integruar urban dhe turizmin (PIUTD) është pjesë e strategjive afatgjata të qeverisë shqiptare për të gjallëruar ekonomitë vendore dhe jetën komunitare përmes një vëmendjeje të shtuar ndaj zhvillimit urban dhe turizmit.

“Objektivat e projektit lidhen me përmirësimin e infrastrukturës urbane, rritjen e vlerës së aseteve turistike, si dhe forcimin e kapaciteteve institucionale për mbështetjen e zhvillimeve ekonomiko-sociale që lidhen me sektorin e turizmit”, tha zëvendësministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Muça.

Shpërndaje në

U Kopjua