Kandidati për kryeministër nga radhët e PD-së, Sali Berisha ka thënë se kriteret e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri janë shkelur në mënyrën më të pamëshirshme.
Kështu tha Berisha në një konferencë të mediave të mbajtur sot në selinë e PD-së, transmeton Klankosova.tv.
Ai, u bëri sërish thirrje demokratëve që e kanë për detyrë të numërojnë çdo votë.
“Ka kritere për zgjedhjet, janë shkelur në mënyrën më të pamëshirshme. Në këto kushte nuk ka njeri që mund të vë dyshim këto që themi ne, por unë sot jam këtu për të kërkuar nga strukturat e Partisë Demokratike, që është në detyrimin tonë të numërohet çdo votë”, u shpreh Berisha.
I pyetur nga gazetarët se nëse ndërkombëtarët do të pranojnë këto zgjedhje, a do t’i pranonte edhe Partia Demokratike, Berisha tha se vetëm Zoti mund ta ndalojë PD-në pa bërë gjithçka që ta mbrojë votën e lirë.
“Vetëm Ai që është sipër mund të ndalojë Partinë Demokratike pa bërë gjithçka për të mbrojtur votën e shqiptarëve. Forcë në botë nuk do të ketë që do t’i pengojë shqiptarët të votojnë të lirë”, u shpreh Berisha.