Live

Dan Hutra dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e tri grave

10:50 / 14 Maj 2025

Nga Kosova Live

Gjykata e Tiranës ka dënuar Dan Hutrën me burgim të përjetshëm.

Prokuroria kërkoi më 9 maj që gjykata të japë tre burgime të përjetshme për vrasjen e tre grave, të cilave ai u mori jetën brenda një ore.

Siç u shpreh prokurori, Dan Hutra duhet të shpallet fajtor dhe të marrë burgim të përjetshëm për vrasjen e Mevlute Sadikut, një dënim të dytë të përjetshëm për vrasjen e Hadime Dafkut dhe të tretin për vrasjen e Etleva Kurtit, e cila ishte motra e një tjetër të burgosuri, identifikuar si Vladimir Kurti.

Prokurori kërkoi më parë se Hutra duhet të dënohet edhe për plagosjen e Elena Hysës dhe për këtë t’i jepen 35 vite burgim – ish-bashkëjetueses, të cilës i vrau të motrën dhe kunatën.

Edhe për plagosjen e nënës së saj, Kujtime Hysa, prokurori kërkoi 35 vite të tjera burgim, ndërsa 30 vjet dënim u kërkuan edhe për plagosjen e Marjona Gurakuqit.

Masakra e Dan Hutrës ndodhi në mars të vitit 2023. Ai fillimisht kreu plagosjen me thikë në zonën e Astirit dhe më tej, gjakftohtë, udhëtoi drejt zonës së Paskuqanit, ku qëlloi me armë zjarri fillimisht në banesën e prindërve të ish-bashkëjetueses dhe më pas në familjen e një të burgosuri që e kishte njohur në Drenovë.

Dan Hutra kishte bërë më herët burg për vrasjen e një tjetër gruaje, Dafina Havalha, e cila ishte bashkëshortja e tij e parë. Ai doli nga burgu në shkurt të vitit 2023, pasi ishte dënuar për dhunë në familje, dhe iu desh vetëm një muaj kohë për të përgatitur masakrën, raporton Top Channel.

Shpërndaje në

U Kopjua