Live

Danimarka merr presidencën e BE-së

11:08 / 01 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Danimarka ka marrë zyrtarisht presidencën e radhës gjashtëmujore të Bashkimit Evropian, duke e trashëguar këtë rol nga Polonia. Gjatë mandatit të saj, që zgjat deri më 31 dhjetor 2025, Danimarka pritet të fokusohet në një sërë çështjesh kyçe për të ardhmen e bllokut, përfshirë mbrojtjen, konkurrueshmërinë, tranzicionin e gjelbër, migracionin dhe zgjerimin e BE-së.

Nën sloganin “Një Evropë e fortë në një botë në ndryshim”, presidenca daneze synon të luajë një rol vendimtar në drejtimin e axhendës evropiane në një periudhë sfiduese për kontinentin, si në aspektin gjeopolitik ashtu edhe ekonomik, raporton Euronews.al, transmeton Klankosova.tv.

Në plan të parë, Kopenhaga do të punojë për forcimin e autonomisë strategjike të BE-së në fushën e mbrojtjes, një temë që ka marrë rëndësi të veçantë pas zhvillimeve të fundit globale. Po ashtu, pritet të intensifikohen përpjekjet për të rritur konkurrueshmërinë e tregjeve evropiane, në një kohë kur rivaliteti me ekonomitë kryesore botërore është në rritje.

Një tjetër shtyllë e presidencës daneze është avancimi i tranzicionit të gjelbër, me synimin për të mbështetur objektivin e BE-së për neutralitet klimatik deri në vitin 2050. Gjithashtu, Danimarka do të adresojë sfidat e migracionit të parregullt, si dhe do të mbështesë procesin e zgjerimit të BE-së, veçanërisht në lidhje me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Ukrainën.

Presidenca daneze do t’i dorëzojë stafetën më 1 janar 2026 Administratës greko-qipriote të Qipros Jugore (GCASC), e cila do të marrë drejtimin e radhës së Këshillit të Bashkimit Evropian.

Shpërndaje në

U Kopjua