U.d i Dekanit të Fakultetit Juridik në Prizren, Safet Krasniqi, e ka hequr autorësinë nga letra me 28 gabime drejtshkrimore të cilën e ka publikuar Express të shtunën. Fajin për këtë letër, Krasniqi ia ka lënë fajin Sekretarit. Është arsyetuar se as nënshkrimi nuk është i tij pasi është i prekur me COVID-19.
Safet Krasniqi ka mohuar të jetë autor i tekstit në shkresën me gabime drejtshkrime, drejtuar Komisionit për Arsim të Kuvendit të Kosovës, të cilën thuhet se e dërgoi në cilësinë e ushtruesit të Detyrës së Dekanit të Fakultetit Juridik të Prizrenit.
Në një përgjigjie për Klan Kosovën, ai thotë se është infektuar me koronavirus, dhe se nga 25 nëntori ai ka autorizuar Prodekanin e Universitetit ”Ukshin Hoti” në Prizren, që t’i kryente të gjitha detyrat që atij i takonin.
”Sapo e pashë këtë kërkesë”.
”Unë aktualisht jam me Covid-19. Nga data 25 nëntor unë kam autorizuar Prodekanin qe t’i kryej të gjitha punët e Dekanit”.
Po ashtu ai mohon ta ketë nënshkruar edhe një dokument të tillë.
”Sa i përket tekstit, këtë e vërteton nënshkrimi i cili nuk është i imi, por besoj se mund të jetë i personave zyrtarë në zyrat e Fakultetit Juridik (sekretari ose dikush tjetër)”.
Krasniqi thotë se kjo shkresë e cila mban datën 27 nëntor, është fushatë e një klani të caktuar për të bërë propagandë.
”Po besoj se kjo është fushatë e grupit ose klanit të caktuar i cili dëshiron që në mungesë të kapaciteteve të veta, të bëjë këso propagande edhe pse e din ky grup se unë nuk jam nënshkrues i këtij teksti”.

”Unë tanimë nuk jam Ushtrues detyre i Dekanit për shkak se janë shpallur zgjedhjet për Dekan në Fakultetin Juridik”.
”Po ua konfirmoj se shkresa zyrtare në emrin tim është nënshkruar nga Sekretari për shkak të mungesës time”.
”Unë nuk jam autor i tekstit”, shprehet ai.
Ai tutje shton se lidhur me këtë çështje do të kërkojë raport me shkrim nga personat kompetentë të sekretariatit në Fakultetin Juridik të Prizrenit.
”Unë, fillimisht do të kërkoj raport me shkrim nga Sekretari i Fakultetit Juridik dhe personat tjerë zyrtarë ne Fakultet”.
”Po ua rikonfirmoj edhe një herë se unë, zyrtarisht me email i kam bartur kompetencat tek ish-prodekani im”, ka deklaruar Krasniqi.
Portali klankosova.tv kishte pronësuar të shtunën informacionin për letrën e u.d të Dekanit dhe nuk kishte cituar burimin ku ishte publikuar lajmi për letrën me 28 gabime drejtshkrimore.
Duke tentuar të shkruajë “kërkes”, Dekani i Juridikut në UPZ bën 28 gabime drejtshkrimore

Ushtruesi i detyrës së Dekanit të Fakultetit Juridik në Universitetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, Safet Krasniqi, duke se nuk i ka punët hiç mirë me shqipen letrare. Në një kërkesë me pak më shumë se një faqe, ai ka bërë 28 gabime drejtshkrimore.
Në kërkesën zyrtare, që Krasniqi ia ka dërguar muajin e kaluar Komisionit për Arsim të Kuvendit të Kosovës, vërehen gabime themelore të drejtshkrimit, sidomos mungesa e shkronjës “ë” në disa fjalë.

Profesori Krasniqi e ka shkruar gabimisht madje edhe një fjalë që përdoret shpesh në zhargonin universitar. Fjalën “korrespondencë” në këtë dokument e ka shkruar katër herë në mënyrë të gabuar, në dy versione të ndryshme – “korrespodenc” dhe “korospodencë”, shkruan Gazeta Express.
Përpos kësaj fjale, Dr.Krasniqit duket se i vijnë të vështira edhe fjalët “vit”, “pasojë” e “jashtë”, sepse këto i shkruan “vitë”, “pasoj” e “jasht”.

Nuk mbaron me kaq mjerimi gjuhësor i udhëheqësit të Fakultetit Juridik. Ai nuk e ka shkruar mirë as fjalën kryesore të dokumentit, fjalën “kërkesë”, që e shkruan pa “ë”. Përpos kësaj, duket se i shkolluari brenda e jashtë vendit nuk di as si formohet shumësi i emrave të gjinisë mashkullore, sepse në vend se të shkruajë “studentë të rregullt” dhe “studentëve”, ai ka shkruar “student të rregullt” dhe “studentve”.
I ka lënë të gjymta edhe disa fjalë që përdoren përditë nga profesorët e studentët, siç janë fjalët “i akredituar” dhe “kalueshmëria”, shkruan Gazeta Express.
I doktoruar më 2013 në “International University of Struga”, Safet Krasniqi ka të publikuar në CV-në e tij se ka përfunduar studimet Master në Kolegjin “Fama”, ndërsa studimet themelore në Universitetin e Prishtinës para 23 vjetëve. Doktoratën thotë se e ka në fushën e shkencave politike, ndërkaq ushtron funksion në një fushë tjetër, atë të juridikut, ku e mban pozitën e ushtruesit të detyrës së Dekanit në Prizren.
