26 deputetë britanikë kanë mbledhur nënshkrimet e tyre në letrën që i nisën Sekretarit të Jashtëm, ku kërkuan sanksionimin e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Duke kritikuar rëndë pjesëmarrjen e Vuçiqit në paradën e 9 majit në Moskë, deputetët deklarojnë se Serbia ka forcuar marrëdhëniet me Putinin, raporton IndeksOnline.
“Për më tepër, presidenti Vuçiq është përpjekur të destabilizojë Kosovën, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe rajonin e Ballkanit në një shkallë më të gjerë, duke bashkëpunuar ngushtë me Rusinë e Putinit, e cila kërkon një shpërqendrim nga përpjekja e saj për pushtim në shkallë të plotë të Ukrainës” thuhet mes të tjerash në letrën e dërguar.
Tutje, deputetët britanikë thonë se Vuçiqi nuk ka interes të ndërpresë lidhjet me Rusinë, teksa promovon në mënyrë aktive ideologjinë e “Serbisë së Madhe” që, sipas tyre, rrezikon ta kthejë Ballkanin sërish në konflikt të përgjakshëm.
“Prandaj, i bëjmë thirrje qeverisë të ndryshojë kursin, duke filluar me një sërë sanksionesh të synuara kundër presidentit Vuçiq, qeverisë së tij dhe bashkëpunëtorëve, dhe duke përdorur të gjitha mjetet diplomatike të nevojshme për të inkurajuar aleatët tanë të ndjekin të njëjtin shembull. Nëse nuk i dërgojmë një mesazh të fortë qeverisë serbe tani, rrezikojmë të forcojmë vendosmërinë e regjimit të Vuçiqit dhe të dështojmë në parandalimin e përkeqësimit të një situate të brishtë sigurie në Ballkan”, thuhet tutje në letër.