Sot u regjistrua dështimi i 12-të me radhë në përpjekjen e deputetëve për ta konstituar parlamentin.
Komisioni për votim të fshehtë për kryeparlamentarin nuk kaloi as kësaj here pasi 56 deputetë votuan për, një kundër dhe nuk pati asnjë abstenim.
Seanca e sotme u ndërpre, për të vazhduar kështu me tentativën e radhës që mbahet më 9 maj në orën 10:00.
Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi u shpreh i acaruar me këto zhvillime në Kuvend me ç’rast tha se Vetëvendosje po e mban peng shtetin por dhe sipas tij “po e dhunon edhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës”.
”Ky është një degradim. Ky është edhe dhunim i vullnetit të qytetarëve të Kosovës”.
”Zgjedhjet kanë prodhuar këtë përbërje të Kuvendit që e ka për obligim formimin e institucioneve”.
”Tendenca imponuese, mospajtimi i tyre me faktin që s’kanë shumicë dhe s’do ketë shumicë parlamentare e kanë lënë peng shtetin”.
”Vendi duhet t’i ketë institucionet e konsoliduara. Qeveria e re duhet të votohet, por secili duhet ta luaj rolin e vet. Zgjidhja tashmë është evidente, e cila ka dështu dhe do të dështojë sa herë që vjen në Kuvend”.
”Ftoj edhe një herë Albin Kurtin të na tregojë a e ka më të rëndësishme Albulena Haxhun a 1 milionë qytetarë?”.
Ndërkaq, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se gjatë ditëve në vijim që pret të marrë informacione shtesë lidhur me propozimin e LDK-së për qeveri të tranzicionit, njofton Klankosova.tv.
“Ka shum pyetje që duhet të bëhen rreth këtij propozimi. Pres ditët në vijim që të marrim informacione shtesë”, u shpreh ai.
Deputetja e betuar e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se qeveria e tranzicionit e propozuar nga kjo parti, është e vetmja zgjidhje për të zhbllokuar institucionet e Kosovës.
Sipas saj, LDK-ja është në pritje të përgjigjeve zyrtare nga liderët e partive rreth propozimit të Abdixhikut për qeveri nacionale të tranzicionit.
“Na vie keq mirëpo po shihet qartë se kush është bllokuesi dhe kujt i mungon vullneti politik për zhbllokim të institucioneve”, tha ajo, njofton Klankosova.tv.
“Kur nuk i ke numrat si rasti i VV-së nuk mund t’ua diktosh të tjerëve mënyrën për zhbllokimin e institucioneve. LDK ka shprehur vullnetin politik dhe tanimë e ka në tavolinë një propozim të qartë për qeveri të tranzicionit e cila do ta zhbllokonte situatën komplet dhe do të rezultonte në konstituimin e institucioneve”.
“Ne jemi në pritje të përgjigjeve zyrtare nga liderët e partive, besojmë si parti se kjo është për momentin e vetmja zgjidhje për zhbllokim”, deklaroi ajo.
Albulena Haxhiu, deputete e betuar e Lëvizjes Vetëvendosje që është njëherësh kandidate e kësaj partie për kryekuvendare e ka komentuar letrën e dërguar nga LDK-ja drejt Albin Kurtit.
Ajo tha se propozimi është i papranueshëm.
“E papranueshme që të injorohet vullneti i qytetarëve, ne nuk kemi pasur zgjedhje para 2-3 vjetësh por para 3 muajve. Ka tendencë të hapur që vullneti i popullit të injorohet”, tha ajo.
Haxhiu tha mes tjerash se ende mungon vullneti i opozitës për të dhënë kontributin që të konstituohet kuvendi.
“Për mua është i paqartë pozicioni i tyre që fare nuk marrin pjesë në votimin për komisionin. Është votim demokratik për shumë pozicione. Urojmë që të reflektojnë”, tha ajo.
Nga ana tjetër, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi se nëse nuk ndryshon situata për konstituimin e Kuvendit, sipas tij “më mirë është të shkohet në zgjedhje”.
“Nëse vërtet është kështu më mirë të shkojmë në zgjedhje, besoni, nuk është mirë me vonuar në pakufi Kosovën”, deklaroi Haradinaj.