Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka vizituar varrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova në nderim të 12 qershorit, Ditës së Çlirimit të Kosovës.
Kurti para mediave nga atje ka deklaruar se Rugova ishte një kontribues i madh për unitetin e popullit dhe ndërkombëtarizimin e Kosovës.
“Dita kur filloi paqja në vendin tonë e për popullin tonë, duke vënë lule të freskëta tek presidenti historik Ibrahim Rugova, një kontribues i madh për unitetin e popullit dhe ndërkombëtarizimin e Kosovës dhe çështjes kombëtare në përgjithësi gjatë gjithë viteve të 90-ta e më pas”, deklaroi ai.
Megjithatë, të njëjtat fjalë Kurti para gati 17 vitesh. Kurti kishte refuzuar të shkonte në varrimin e Rugovës. Në komunikatën e VV’së mos-prezenca e Kurtit arsyetohej duke thënë se pjesëmarrës nuk ishin as familja Jashari, kinse të vetëdijshëm për dëmin politik që ia kishte bërë ish-presidenti Rugova dhe fryma rugoviane.
“Në varrimin e Rugovës nuk ishte familja Jashari, nuk ishte Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe nuk ishin edhe shumë bashkëluftëtarë e atdhetarë të cilët e dinin dëmin politik që Kosovës i bëri Rugova e rugovizmi. Por ti ishe aty dhe nuk të vinte fare turp sepse tani më nuk dalloheshe nga ai. Jo vetëm që flisje si ai, por tani ishe mësuar që edhe të silleshe si ai. Të ka mbetur vetëm edhe gur të fillosh të shpërndash”, thuhej në komunikatën e emërtuar “Gjaku i humbur”, ku sulmohej edhe ish-presidenti Hashim Thaçi.
“Ai (Rugova) ishte kolaboracionist sepse nuk ishte betuar asnjëherë për çlirimin e Kosovës, kurse ti je tradhtar i kombit sepse e ke shkelur betimin e dhënë. Dallimi tjetër është se ai nuk mund të na mashtrojë më, e ti potencialisht e ke ende një mundësi të tillë”, deklarohej tutje në komunikatë.
Shefi i qeverisë në detyrë deklaroi tutje se sot do të realizojë vizitë edhe tek varri i veprimtarit të çështjes kombëtare, Adem Demaçi dhe tek Kompleksi “Adem Jashari”.