Donald Trump është zyrtarisht President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një ceremoni të mbajtur në ambientet e Kongresit, Trump është betuar si presidenti i 47’të i ShBA’së.
Ai bëri betimin me të njëjtën bibël, që e kishte përdorur edhe Presidenti Abraham Lincoln, në ceremoninë e betimit më 1861.
“Betohem solemnisht se do të shërbej me besnikëri në Zyrën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe do ta bëj më të mirën për të ruajtur dhe mbrojtur Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara”, është betuar Trump.
Tani ai do t’u drejtohet pjesëmarrësve me fjalimin inaugurues. Ceremonia e betimit këtë herë është vendosur të mbahet brenda Kongresit, shkaku i motit.
Pas ceremonisë, Trump pritet të mblidhet me stafin dhe anëtarët e Kongresit në dhomën e Presidentit, pranë dhomës së Senatit. Aty do t’i bëjë nominimet dhe do t’i nënshkruajë urdhrat e tij të parë ekzekutiv si president.
Para se të niste ceremonia, Trump dhe bashkëshortja e tij, Melania, u pritën nga Presidenti Joe Biden dhe Zonja e Parë, Jill Biden.
“Mirë se vini në shtëpi”, iu drejtua Biden Trumpit.
78 vjeçari kthehet në Shtëpinë e Bardhë pasi fitoi zgjedhjet presidenciale kundër demokrates Kamala Harris, në nëntor të vitit të kaluar.
Ai ka shërbyer si president edhe gjatë viteve 2017-2021. Në vitin 2020, ai humbi zgjedhjet kundër Joe Biden, por refuzoi ta pranonte rezultatin.
Pas një fjalimi të tij në Washington, më 6 janar, 2021, mbështetësit e tij sulmuan ndërtesën e Kongresit amerikan. Pesë njerëz humbën jetën në trazira.
Trump ka tre fëmijë – Donald Jr, Ivanka dhe Eric – me gruan e parë, Ivana; vajzën Tiffany me gruan e dytë, Marla Maples, dhe djalin Barron me gruan aktuale, Melania Trump.