Në shtatorin e vitit 2023, Besart Istrefi, një pronar restoranti në fshatin Milloshevë të Obiliqit, zotohej se do t’i sillte në Kosovë rreth 100 punonjës nga shtetet e botës së tretë si Bangladeshi e Nepali.
Në një bisedë me një gazetare të televizionit T7 asokohe, Istrefi thoshte se veçse e kishte nënshkruar një kontratë për transferimin e 100 punonjësve nga Bangladeshi e Nepali.
Zotohej se kontrata do të hynte në fuqi nga muaji nëntor i vitit 2023.
Në këtë raportim televiziv ai prezantohej si pronar i restorantit që kishte gjetur zgjidhje për mungesën e punëtorëve në vend duke i zëvendësuar ata me punonjës nga vendet e largta aziatike.
“E kena hap një zyre punësimi për me pru punëtorë prej vendeve si Bangladeshi, Nepali për të zëvendësuar hapësirën e punëtorëve që e kemi. Në nëntor e kemi një kontratë prej 100 punëtorëve”, deklarohej ai në storjen televizive të publikuar në T7 më 3 shtator, 2023.