Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka dënuar Sami Lushtakun e PDK-së me 8 mijë euro, ndërkaq Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje me 3 mijë euro.
Dënimi i PZAP-së, ndonëse ishte i ndryshëm në shumën e të hollave për Lushtakun e PDK-së dhe Kurtin e VV-së, ishte i thirrur në të njëjtin ligj, në të njëjtin nen e në të njëjtin paragraf.
Më 14 janar, PZAP-ja e dënoi Kurtin me 3 mijë euro gjobë, pasi tha se ka bërë shkelje të rëndë të Ligjit Nr.08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, respektivisht nenit 34, paragrafi 1, nën paragrafi 1.11.
Në fjalimin e Kurtit, përmendej edhe “mbytja” e LDK-së, flitej për goditje “vdekjeprurëse”, “pjekje të opozitës” e krahasimin me një mizë që populli po e pret me “duartrokitje”, duke inskenuar mbytjen e saj.
“Prandaj, kur na rastis të dëgjojmë ndonjë udhëheqës të LyDyKy-hit se populli, populli ka simpati për ta, kjo mu m’i përngjan asaj mizës, që thoshte kudo që po shkoj po më presin me duartrokitje (imiton me gjeste dhe shprehje mbytjen e mizës). Kur ata thonë që populli po i pëlqen ata është si ajo miza që lavdohej që njerëzit po e presin me duartrokitje e ju e dini shumë mirë që me ato duar që duartrokasin çfarë janë duke provuar t’i bëjnë asaj mize”, kishte thënë Kurti në deklaratën e parë.
Tutje Kurti s’ishte ndalur aty, pasi ai kishte vazhduar me “e keqja është strukturë e dobësuar dhe gjithnjë më e dobët. Me 9 shkurt sivjet me 500 mijë zemra, kësaj të keqe strukture ia japim goditjen vdekjeprurëse”.
Ndërsa, PZAP-ja duke u thirrur në të njëjtin ligj, në të njëjtin nen, në të njëjtin paragraf e nënparagraf, i shqiptoi gjobë Sami Lushtakut në shumë prej 8 mijë eurove.
“Sipas parashtruesit të ankesës në videon e publikuar në profilin e Armend Ahmeti, mes tjerash thuhet ‘T’i çojna mesazh Albin Kurtit dhe zagarëve të tij…’, duke shkelur dispozitat e nenit 34, pika 1.11 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë”, thuhet në arsyetimin e PZAP-së për gjobën ndaj Lushtakut.
Ndryshe, PZAP ka kompetencë t’iu vë gjobë partive politike deri në 50 mijë euro. Por, nuk dihet përse PZAP vendosi që ta dënojë Vetëvendosjen në rastin e sipërpërmendur me kaq volum e gjuhë të papërshtatshme veç 3 mijë euro, e në anën tjetër PDK-në me 8 mijë.