Teksa Policia e Kosovës thotë se situata aktuale në veri të vendit – dy vjet pas dhunës mes serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të KFOR-it – është “e qetë, por delikate” dhe se “shumëçka ka ndryshuar për mirë”, banorët serbë të kësaj zone thonë se situata nuk ka qenë kurrë më keq.
Personat me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë e përshkruan jetën e tyre pas majit të vitit 2023 si krejt të ndryshme, duke e cilësuar atë muaj si “pikë kthese”, kur nisi mbyllja e institucioneve që funksiononin sipas sistemit të Serbisë në Kosovë.
Më 29 maj 2023, në Zveçan ndodhi një përleshje e dhunshme mes protestuesve serbë dhe trupave të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Protesta ishte thirrur kundër hyrjes së kryetarit shqiptar në ndërtesën e komunës, pasi serbët i kishin bojkotuar zgjedhjet lokale me thirrje të Listës Serbe– partisë kryesore të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit. Si rezultat, në krye të komunave me shumicë serbe në veri – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok –erdhën kryetarë shqiptarë.
Nga përplasjet në Zveçan mbetën të plagosur rëndë dhe lehtë 93 ushtarë të KFOR-it që ishin të dislokuar para ndërtesës së komunës. Ndërkohë, u lënduan edhe rreth 50 serbë, shumë prej të cilëve më pas u larguan në Serbi dhe aktualisht nuk janë të qasshëm për drejtësinë në Kosovë.
KFOR-i e cilësoi sulmin ndaj pjesëtarëve të tij si “të paprovokuar dhe plotësisht të papranueshëm”, duke kërkuar që të gjithë pjesëmarrësit në dhunë të “ndiqen urgjentisht penalisht”. Ky mision ndërkombëtar shprehu gjithashtu shpresën se edhe autoritetet në Serbi po hetojnë personat që u kthyen atje pas trazirave.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar informata nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Prokuroria për numrin e personave të ndjekur penalisht deri tani dhe për ndonjë proces në vazhdim lidhur me sulmin ndaj KFOR-it, por nuk ka marrë përgjigje. Përgjigje për këtë çështje nuk dha as Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.
Ajo që dihet publikisht në Kosovë është se më shumë se dhjetë persona janë arrestuar në lidhje me dhunën në Zveçan. Disa janë dënuar me rreth një vit burg, pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë. Meqenëse u është llogaritur koha e qëndrimit në paraburgim, këta persona tashmë janë në liri, ndërsa të tjerë janë mbrojtur në gjendje të lirë.
Nga ana tjetër, ende nuk dihet nëse drejtësia serbe ka hapur apo po zhvillon ndonjë hetim për rastin e sulmit ndaj KFOR-it.
Policia e Kosovës: Situata e sigurisë në veri është nën kontroll
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë kujton se më 29 maj të vitit 2023 në Zveçan ndodhi, siç e përshkruan ai, një “luftë e vogël”. Por, sipas tij, sot situata është “krejtësisht ndryshe”.
“Gjendja është ende delikate për shkak të aspektit politik, por është e qetë”, thotë Elshani. Ai thekson se Policia e Kosovës tani ka “kontroll të plotë” mbi sigurinë në veri dhe se nuk ka më “grupe të armatosura” që punojnë për destabilizim.
Më 29 maj 2023, në turmën e protestuesve serbë kishte edhe persona me maska, të cilët u përfshin në përleshje me ushtarët e KFOR-it duke përdorur shok-bomba, koktej molotovi dhe mjete të tjera të forta.
Këto trazira u shndërruan në pikënisjen e tensioneve të reja në veri të Kosovës, që kulmuan në shtator 2023 kur një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë pranë Zveçanit. Në atë sulm u vra rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku, ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit mbetën të vrarë edhe tre sulmues serbë.
“Nuk ka më grupe të armatosura në Kosovë. Sa i përket veriut të Kosovës, mund të themi se është e sigurt. Situata ka ndryshuar shumë”, thotë Elshani.
Ai shton se Policia e Kosovës është në kontakt të përhershëm me KFOR-in për çështjet që lidhen me veriun dhe se bashkërisht organizojnë patrullime ose shkëmbejnë informacione të rëndësishme.