Nga mëngjesi i sotëm, siç ka raportuar në vazhdimësi Klankosova.tv, Sektori për Hetimin e Korrupsionit (DHKEK) në kuadër të Policisë së Kosovës, ka zhvilluar një aksion që kishte cak dyshimet për dallavere me patenta shoferi.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, tha se kontrollet janë zhvilluar në tri rajone policore, Gjakovë, Gjilan e Prishtinë.
“Sot më 29.05.2025 në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës, Sektori për Hetimin e Korrupsionit (DHKEK), me urdhër të Gjykatës kompetente është duke zhvilluar kontrolle në disa lokacione në tri rajone policore Gjakovë, Gjilan dhe Prishtinë”, tha Kelani për Klankosova.tv.
I njëjti tha se detaje shtesë do të jepen pas përfundimit të operacionit.
Ndërkaq, Klankosova.tv raportoi se në Gjakovë, gjatë aksionit policor, është kontrolluar autoshkolla “Kader”, teksa në polici është shoqëruar pronari i saj, Sabri Arifaj.
Përveç tij, në Polici ka përfunduar edhe drejtori i qendrës për patentë shofer, Kamer Shabanaj.