Një video ku shihet një qen duke u goditur nga një punëtor në strehimoren publike të qenve në Prishtinë, është publikuar nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve.
Kjo organizatë tha se “ky veprim është mizor, i paligjshëm dhe absolutisht i papranueshëm” dhe se “nuk është një rast i izoluar, por një simptomë e qartë e një problemi më të thellë dhe sistematik brenda qasjes së Komunës së Prishtinës ndaj mirëqenies së kafshëve”.
“Komuna ka dështuar vazhdimisht në respektimin e dispozitave ligjore në fuqi për trajtimin dhe kujdesin e kafshëve, veçanërisht Ligjin Nr. 02/L-10 për Mirëqenien e Kafshëve dhe Udhëzimin Administrativ për strehimoret e kafshëve shoqëruese”, thuhet ndër tjerash në reagim.
Bajram Gecaj, këshilltar i kryetarit të Komunës së Prishtinës, i ka thënë Koha.net se personi që shihet në video është larguar nga kompania private e sigurimit ku po punonte, me kërkesë të përgjegjësve nga kryeqyteti.
“Personi në fjalë ka qenë i angazhuar përmes kompanisë private të sigurimit dhe nuk është kërkuar nga ai fare të merret me qentë. Personi tanimë ështe larguar nga kompania në fjalë me kërkesën e përgjegjësve nga kryeqyteti”, ka thënë ai.