Një ngjarje dramatike ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në lokalin “Hebbs”, që gjendet në sheshin “Xhorxh Bush” në afërsi të parkingut nëntokësor në Prishtinë. Ajo që nisi si një hyrje e paautorizuar përfundoi në një përleshje të ashpër fizike, ku të përfshirë mbetën një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe një i dyshuar me të kaluar kriminale.
Burime të sigurta të Kosovalive bëjnë me dije se rreth orës 03:00, G.H., rreth 23 vjeçar, kishte hyrë në mënyrë të dhunshme në ambientet e lokalit, me qëllim që të përballej me ish-të dashurën e tij, të cilën më herët e kishte kanosur përmes rrjeteve sociale. G.H kishte arritur deri në kuzhinën e lokalit, duke shpërfillur çdo paralajmërim për t’u larguar.
Në përpjekje për ta ndaluar dhe për ta larguar nga lokali, punëtori i sigurimit – pjesëtar aktiv i FSK-së – ka ndërhyrë.
Por i dyshuari ka reaguar me dhunë, duke goditur fizikisht sigurimin me grushte. Në vetëmbrojtje, ky i fundit ka përdorur një sprej neutralizues në drejtim të agresorit.
Përplasja është zhvendosur jashtë lokalit, ku pas një përballjeje të tensionuar, i dyshuari është neutralizuar nga sigurimi dhe ndaluar me forcë deri në ardhjen e Policisë. Të dy të përfshirët kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor fillimisht në vendngjarje e më pas në QKUK. Pas intervenimit mjekësor, janë liruar për trajtim në shtëpi.
Prokurori kujdestar i Shtetit është njoftuar për rastin dhe ka urdhëruar ndalimin e G.H për 48 orë, ndërsa rasti mbetet në hetim.
Gazeta Kosovalive do të vazhdojë të sjellë detaje të reja nga ky rast që tronditi qendrën e kryeqytetit.