I kërkuari me urdhërarrest të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë është kapur nga Policia e Kosovës në Prishtinë. Personi që u prangos ishte shpallur fajtor dhe dënuar me burgim e gjobë për drogë.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije ekskluzivisht se personi i arrestuar është Orhan Bullaku, rreth 39-vjeçar.
Bullaku u prangos pas kontrollit në shtëpinë e tij, në rrugën “Esat Mekuli”, dje në mëngjes.
Ai ishte dënuar me 2 vjet burgim nga Gjykata, pasi akuzohej se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Ndaj tij, ishte shqiptuar edhe gjoba në vlerë prej 2 mijë eurove.
Pas arrestimit dhe përfundimit të procedurave, i njëjti është dërguar në njërën nga qendrat korrektuese për ta vuajtur dënimin.