Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave dhe kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Raste të tilla kanë ndodhur jo rrallëherë në pikat e kompanisë EX FIS. Për rastin e fundit të raportuar në Trudë të Prishtinës, Policia ka arrestuar dy persona.
Hajnat që arritën të kryejnë grabitje më 24 janar janë kapur sot nga Policia në Prishtinë dhe tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se dy të dyshuarit janë Valon Islami dhe Liridon Bajrami – të dy nga fshat Bardhosh i Prishtinës.
Ata po dyshohen se kanë qenë të përfshirë në rastin e grabitjes te EXFIS, ku nën kërcënimin e armës së ftohtë, njëri prej tyre ka arritur që të grabis rreth 200 euro para të gatshme, ndërsa tjetri e ka ndihmuar pas kryerjes së veprës.
Pas arrestimit dhe shoqërimit në stacion policor, me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dy janë dërguar në mbajtje.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.