Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike,
Një rast i tillë është zbuluar edhe dje në Prizren, ku një person është arrestuar pasi është kapur me substanca narkotike.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari që u kap me drogë është Ermal Rexhaj.
Ai është prangosur pas një kontrolli të kryer nga Policia në shtëpinë e tij dhe rrethinë, ku janë gjetur dhe konfiskuar 766.55 gram substancë narkotike e llojit marihuanë, disa qese të zbrazëta për paketim të narkotikeve dhe një telefon.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Ai dyshohet për veprën penale “Posedim i paautorizuar i substancave narkotike psikotrope ose analoge”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.