Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë në rrugën “Hasan Tahsini” në Gjilan, ku një person është arrestuar nga Policia pasi është kapur në shtëpinë e tij me medikamente “metadon”, disa shiringa mjekësore e gjësende të tjera.
Sinjali mëson se personi që përfundoi në ndalim policor është Fadil Grabovci.
Gjatë kryerjes së bastisjes në shtëpinë e tij janë gjetur dhe konfiskuar: tetë shishe të mbushura metadon 10 mg/1ml-ml100, tetëdhjetë e një shishe të zbrazëta 10 mg/1ml-ml100, 35 copa Ampula Diazepan 10ml/2ml, 295.5€ kesh para, 34 shiringa mjekësor, një telefon dhe një fletore me shënime.
I dyshuari është intervistuar dhe ndaj tij është iniciuar rasti ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve’.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.