Live

Ekskluzive: Lirohen nga akuzat tre të akuzuarit për plagosjen dhe tentim grabitjen në argjendarinë në Prizren

11:49 / 07 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Pas rreth tre vitesh në paraburgim, me aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prizren, janë liruar nga akuza tre të akuzuarit për rastin e tentim grabitjes dhe plagosjes në argjendarinë ‘Orhani’ në Prizren. Aktgjykimi lirues është shpallur para dy ditësh.

Për këtë rast dyshoheshin fillimisht katër persona, Leutrim Latifit, Ibrahim Qadrakut, Adnan Arifoviç dhe Ruzhdi Fejzullahu – e më pas janë shtuar emrat edhe të dy personave të tjerë, Elbasan Shalës dhe Egzon Sheqiri.

Ndërsa në aktakuzë janë të përfshirë vetëm Latifi, Arifoviç, Shala, si dhe Sheqiri, i cili vazhdon akoma të jetë në arrati.

Kosovalive ka mësuar se tre të akuzuarit e parë janë liruar nga akuzat më 5 shkurt, pasi nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprat penale grabitja në tentativë, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, grabitja, shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë dhe dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale, për të cilat akuzoheshin.

Një gjë e tillë e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Prizrern, Marcel Lekaj.

“Të akuzuarve Leotrim Latifi dhe Adnan Arifoviq me datën e 05.02.2025 i’u është ndërprerë edhe masa e paraburgimit. Pas shpalljes së aktgjykimit, Kryetarja e trupit gjykues ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar.” – thuhet ndër të tjera në përgjigjen e Lekajt.

Ndryshe, ndaj Fejzullahut kanë pushuar hetimet, ndërsa Qadraku s’ka qenë fare i përfshirë në aktakuzë, raporton Sinjali.

Çka thuhej në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren?

Sipas aktakuzës që e posedon Sinjali, Leotrim Latifi, Adnan Arifoviç dhe Egzon Sheqiri me dashje ndërmarrin veprime për kryerjen e veprës penale të grabitjes, por vepra penale nuk është kryer tërësisht, në atë mënyrë që me datë 15 nëntor, në rrugën Adem Jashari” në Prizren, duke vepruar në grup të armatosur dhe të maskuar me maska në kokë dhe dorëza në duar, përdorin forcën që rezulton me lëndim të rëndë dhe të lehtë trupor.

“…asisoj që i pandehuri Adnan Arifoviç me armën e tipit “AK-47”, i pandehuri Leotrim Latifi me pistoletën “CZ” dhe i pandehuri Egzon Sheqiri me një armë të gjatë të ashtuquajtur pumparicë, të cilët me veti kishin edhe një çekan me një kuti të plastikës, me shpejtësi dalin nga vetura e tipit “Passat” me ngjyrë teget, pa targa të regjistrimit, ku i pari del i pandehuri Adnan Arifoviç, e pastaj i pandehuri Leotrim Latifi dhe i fundit i pandehuri Egzon Sheqiri dhe me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm të pasurisë së personit tjetër, në këtë rast të arit, hyjnë në dyqanin e argjendarit “Orhani”, ku ishin pronari – i dëmtuari Orhan Kasemi dhe biri i tij – i dëmtuari Ismet Kasemi dhe në ballafaqim me ta nuk arrijnë ta marrin arin por që me armë të zjarrit shkrep i pandehuri Adnan Arifoviç, e pastaj shkrep i pandehuri Egzon Sheqiri i cili iu shkakton lëndime të dëmtuarve Ismet e Orhan Kasemi, e pastaj me pistoletë  në drejtim të të dëmtuarit Orhan Kasemi shkrep i pandehuri Leotrim Latifi të cilin e godet në abdomen, e pastaj me shpejtësi me automjetin gjegjës ikin nga vendi i ngjarjes në drejtim të rrugës regjionale Prizren-Suharekë.

“…me ç’rast i dëmtuari Orhan Kasemi nga armët e shkrepura të zjarrit pëson plagë të rënda trupore me pasoja të përhershme në shëndet, në regjionin e abdomenit, regjionin e rrënjës së penisit, regjionin e mbigjunjëve, regjionin e djathtë gluteal dhe regjionin e gisht të madh të dorës së majtë, gjakmbledhje lokale rreth 30 mm duke filluar nga regjioni i sipër dhe i brendshëm femoral me dimension rreth 8 cm axial dhe 18 cm CC dhe me prezencë të ajrit të konsiderueshëm, dëmtim i kanalit inguinal/scrotal dhe në testisin e majtë, dëmtim i muskujve të perineumit, shqyrje e shtresës kutane dhe muskulin vastus medialis të regjionit femoral të djathtë, kurse i dëmtuari Ismet Kasemi pëson dëmtime të lehta trupore me pasoja të përkohshme në shëndet, në regjionin e shputës së këmbës së majtë dhe se dëmtimet janë shkaktuar si rezultat i veprimit indirekt (rikoshet) dinamik i predhave të hedhura nga armët e zjarrit”.

Për këtë pikë të aktakuzës, ata janë akuzuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale grabitja në tentativë.

Ndërsa në pikën e dytë thuhej se në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar më afërsisht sikur në pikën 1 të dispozitivit të aktakuzës, pas shkrepjes me armë e duke marrë parasysh se në ato momente kanë qenë të pranishëm një numër i madh i njerëzve, kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, duke i ngarkuar kështu edhe me veprën “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Po ashtu, akuzoheshin se  në kundërshtim me ligjin, kanë poseduar armën e zjarrit AK-47, pushkën e gjuetisë dhe një pistoletë, për të cilat nuk kanë poseduar leje.

Pika e katërt e aktakuzës thotë se në bashkryerje kanë kryer veprën ‘grabitja’, pasi me përdorim të forcës, në grup dhe me armë në mënyrë të kundërligjshme përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personit tjetër:

“ashtu që  pasi  largohen  nga vendi i ngjarjes të përshkruar më afërisht sikur në pikën 1 të dispozitivit të aktakuzës dhe gjatë ikjes me automjetin e tipit “PASSAT” me ngjyrë të zezë, bëjnë aksident me një automjet, vazhdojnë rrugës regjionale Prizren-Suharekë dhe kur arrijnë afër fsh.Lubizhdë zbresin nga automjeti gjegjës, e pastaj me armë të zjarrit në duar me dhunë e nxjerrin nga automjeti i tipit “Polo”, me ngjyrë të kuqe, me targa 04-513-HD, pronarin – të dëmtuarin S.SH., me këtë automjet vazhdojnë rrugën disa qindra metra  deri tek pompa e derivateve “OK”, të cilët të armatosur zbresin nga vetura gjegjëse, me dhunë nga punëtori i pompës marrin një bidon të cilin e mbushin me karburant, e pastaj me shpejtësi me automjetin e lartpërmendur, kthehen tek automjeti i tipit “PASSAT”, të cilin e djegin dhe iki nga vendi i ngjarjes për në drejtim të Suharekës”.

Latifi, Arifoviç dhe Sheqiri po ashtu janë akuzuar se kanë asgjësuar “pasurinë e personit tjetër që tejkalon vlerën prej 5.000 Euro, në atë mënyrë që kur me automjetin e tipit “Polo”, me ngjyrë të kuqe me targa 04-513-HD, me qëllim që të i fshehin gjurmët ikin nga Suhareka dhe  kur arrijnë në fsh.Murg-Komuna e Skenderajt, në tërësi e djegin automjetin gjegjës dhe kësisoj i shkaktojnë dëm material pronarit të saj – të dëmtuarit Sali Shabani, mbi 5.000 Euro”.

I akuzuari tjetër, Elbasan Shala, ngarkohej me veprën penale dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale, pasi sipas Prokurorisë, ”me dashje ka ndihmuar në shmangien e zbulimit ose arrestimit të kryesve të veprave penale, në atë mënyrë që me datë 15.11.2021 në orët e vona të natës afër shtëpisë së tij në fsh.Shkabaj-Komuna e Obiliqit (Kastriotit), takohet me të pandehurit e armatosur Leotrim Latifi, Adnan Arifoviç dhe Egzon Sheqiri dhe me automjetin e tij fshehurazi i dërgon në lagjen e Dragodanit të Prishtinës”.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...