Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë se ajo që po konsiderohet si njohje de facto nga plani evropian për dialogun Kosovë – Serbi, është “sukses kolosal serb”.
Në një deklaratë për KOHËN të premten, katër ditë para takimit në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Hasani ka thënë se kjo marrëveshje do t’i bëjë edhe më të rezervuara vendet mosnjohëse që ta njohin Kosovën.
Komponenti kryesor i këtij plani, sipas Hasanit, është mungesa e njohjes de jure. Komponentë të dytë e ka renditur “autonominë për serbët e Kosovës”, ndërsa të tretën “ekstraterritorialitetin e Kishës Ortodokse Serbe”.
Ai ka vlerësuar se në momentin kur të nënshkruhet kjo marrëveshje, Kosova do të futet në fazë të re të zhvillimit politik, pasi, sipas tij, do të ketë “infrastrukturë të dendur juridike”, pasi “kornizën pushtetin paralel dhe konkurrent në Kosovë”. Rregullimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, Hasani e ka konsideruar si krijim të një entiteti tjetër brenda Kosovës.
Çka prisni prej takimit të së hënës në Bruksel mes Kurtit e Vuçiqit? A do të nënshkruhet propozimi i BE-së?
HASANI: Plani franko-gjerman nuk ka ardhur nga asgjë. Ai është qartazi produkt i dialogut tash e dy vjet, mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është e qartë për çdokënd, sepse për këto dy vjet nuk ka pasur stopim të dialogut, por takime intensive mes palëve. Se kur do nënshkruhet nuk ka rëndësi, çka përmban ka shumë rëndësi.
Çfarë është esenca e planit franko-gjerman, çka përmban ai ?
HASANI: Plani ka transformuar dialogun që ka nisur nga viti 2011, në sensin që ka zgjeruar komponentët e marrëveshjes që mëton t’i normalizojë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Në të gjitha versionet e tij, plani ka disa komponentë. Në rend të parë, nuk ka njohje të Kosovës. Ajo që shitet si njohje de facto, në fakt nuk është asgjë tjetër pos një sukses kolosal serb për të dëshmuar te vendet mosnjohëse të Kosovës se ajo, pra Serbia, është e detyruar të pranojë një gjendje faktike, si diçka të përkohshme dhe kalimtare, por që nuk prek titullin e saj të sovranitetit juridik-ndërkombëtar kundrejt komunitetit ndërkombëtar. Kjo bën që në Evropë, shtetet mosnjohëse të jenë edhe më të rezervuara ndaj njohjes sonë. Njohja eventuale nga ndonjëra prej tyre nuk vjen si rezultat i nënshkrimit eventual të planit, por i konsideratave të tjera gjeopolitike të momentit. Sidoqoftë, Spanja e Qiproja nuk ka asnjë gjasë që të jenë në grupin e vendeve njohëse pa pasur një njohje de jure nga Serbia. Njëjtë vlen edhe për vendet tjera gjetiu. Së dyti, plani parashikon autonomi për serbët e Kosovës, me seli kryesisht në veri, por me shtrirje territoriale në krejt enklavat serbe. Ky nuk është pushtet i tretë, por pushtet paralel, konkurrent me pushtetin kushtetues në Prishtinë. Kjo komponentë absorbon çështjen e Asociacionit serb në formën që është nënshkruar në vitin 2013 dhe e sistemon në kuadër të strukturave drejtuese dhe qeverisëse të autonomisë politiko-territoriale të serbëve të Kosovës. Kësaj autonomie, pasi të nisë nxjerrja e akteve implementuese të saj, do t’i shtohen edhe gjymtyrët e tjera të funksionit ligjvënës, ekzekutiv-policor dhe gjyqësor. Së treti, plani përfundimisht krijon një ekstraterritorialitet të Kishës Ortodokse Serbe në tërë territorin e Kosovës, ashtu që prona e saj dhe aktivitetet e tjera fitojnë statusin e një subjekti të jashtëm kundrejt pushtetit vendor në Prishtinë, që operon jashtë çdo juridiksioni vendor.
Në çfarë faze do të hynte Kosova, nëse e pranon planin?
HASANI: Në momentin që nënshkruhet plani, Kosova futet në një fazë të re të zhvillimit politik: vitet e para duhet të bëhet një infrastrukturë juridike jashtëzakonisht e dendur, e cila, ani se do të ketë emërtime të tjera, në thelb është materie kushtetuese, sepse kornizon një pushtet paralel dhe konkurrent në Kosovë, me kompetenca e autorizime që i merr nga organet ekzistuese qendrore, në të gjitha sferat e jetës dhe punës. Kur të përmbyllet kjo infrastrukturë juridike, do të shihet se si vëllim, ajo do të jetë më e madhe sesa vetë Kushtetuta e Kosovës. Aktet juridike fillestare mendohet ta kenë natyrën e marrëveshjeve ndërkombëtare për modalitetet e autonomisë në veri, statusin e Kishës Serbe dhe Asociacionin me një fizionomi të përshtatur me planin franko-gjerman. Më lejoni të them se statusi i Kishës Serbe, që do të rregullohet me planin në fjalë, fare nuk ka të bëjë me ruajtjen e karakterit laik të Republikës së Kosovës, por me krijimin e një entiteti tjetër brenda Kosovës, që nuk i nënshtrohet juridiksionit vendor. Pikërisht për këtë arsye, është e çuditshme që ky plan, që mendohet të shërbejë si një katalizator i prodhimit të dhjetëra akteve të tjera juridike me të cilat në tërësi zëvendësohet rendi ekzistues kushtetues i krijuar me Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e Kosovës, nuk do të ratifikohet në Kuvend siç kërkon neni 18.1 i Kushtetutës së Kosovës.
A mund të ketë pasoja nëse njëra prej palëve refuzon nënshkrimin dhe cilat mund të jenë ato?
HASANI: Unë nuk shoh asnjë arsye apo shenjë se Serbia nuk do ta nënshkruajë planin. Njëjtë vlen për palën kosovare. Çështja e modaliteteve të nënshkrimit më shumë ka të bëjë me palën kosovare dhe plasimin e tij në publik si një “shpëtim fytyre” para votuesit mesatar, jo si ndonjë rezervë serioze ndaj tij.