Live

Eurodeputeti holandez kërkon heqjen e masave dhe pranimin e Kosovës në BE

10:48 / 08 Maj 2025

Nga Kosova Live

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten ka bërë një thirrje të fuqishme në Parlamentin Evropian, duke kërkuar nga Këshilli i Bashkimit Evropian që të heqë pengesat dhe të pranojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

Në fjalën e tij, Reuten theksoi se Kosova është një partner i denjë që ndan vlerat dhe orientimin gjeopolitik të Bashkimit Evropian, duke kritikuar ashpër bllokimin që po i bëhet procesit të anëtarësimit të saj.

Kosova është partneri ynë, ndan vlerat tona dhe ka të njëjtin orientim gjeopolitik. Megjithatë, Këshilli i BE-së vazhdon të bllokojë pranimin e thjeshtë të kërkesës për anëtarësim të këtij partneri. A kështu trajtohet një partner?” u shpreh Reuten me tone të ashpra.

Ai i bëri thirrje BE-së që të heqë masat kufizuese ndaj Kosovës, të normalizojë marrëdhëniet mes të gjitha shteteve anëtare dhe Kosovës, si dhe të njohë zyrtarisht shtetësinë e saj.

Reuten gjithashtu propozoi që Komisioni Evropian të fillojë përgatitjen e opinionit për aplikimin e Kosovës, edhe pa miratimin e Këshillit, si një hap konkret drejt avancimit të integrimit evropian të vendit.

Kosova dorëzoi zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 15 dhjetor 2022, por procesi është ende i bllokuar për shkak të mosnjohjes së pavarësisë së saj nga pesë vende anëtare: Qipro, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Shpërndaje në

U Kopjua