Franca planifikon të mbajë një tjetër takim për të diskutuar mbi Ukrainën dhe sigurinë evropiane. Takimi do të mbahet të mërkurën, por këtë herë janë ftuar vendet europiane që nuk ishin të pranishme në diskutimet që u mbajtën një ditë më parë, si edhe Kanadaja, thanë burime diplomatike për agjencinë e lajmeve Reuters, të martën.
Dy burime thanë se ishin ftuar Norvegjia, Kanadaja, Lituania, Estonia, Letonia, Republika Çeke, Greqia, Finlanda, Rumania, Suedia dhe Belgjika.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, thirri të hënën një takim urgjent në Paris, me udhëheqës të vendeve evropianë, përfshirë ata të Britanisë, Gjermanisë dhe Italisë, si dhe përfaqësues të NATO-s dhe BE-së.
Takimi i jashtëzakonshëm ishte pjesë e përpjekjeve për të vlerësuar garancitë e sigurisë që mund t’i jepeshin Ukrainës, si mundet të veprojë më shpejt Evropa për të rritur shpenzimet për mbrojtjen dhe si mund të veprohej më shpejt ndërsa administrata e Shteteve të Bashkuara po shton ritmin e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.
Disa vende ishin të pakënaqura që takimi përfshiu vetëm disa udhëheqës të përzgjedhur dhe nuk ishte një takim i plotë i nivelit të lartë të Bashkimit Evropian, thanë zyrtarët e bllokut.
Zyra e presidencës franceze nuk iu përgjigj një kërkese të agjencisë së lajmeve Reuters për koment.