Live

Gara shumë interesante për titull të kampionit në Zvicër

23:41 / 24 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Baseli ka lëshuar pikë në tri xhirot e fundit, por vazhdon të jetë lider në Superligën e Zvicrës në futboll. Baseli, që për kapiten e ka Xherdan Shaqirin, udhëheq në tabelë me 42 pikë.

Por nga 42 pikë pas xhiros së 25-të i kanë edhe tri skuadra të tjera: Lugano, Luzerni e Servette.
Kjo bën që kampionati i Zvicrës në futboll të llogaritet më interesanti në Evropë aktualisht.

Edhe skuadrat prej vendit të pestë deri në vendin e tetë nuk janë larg dhe vlerësohen pjesë e garës për titull. Lausanne e Young Boysi i kanë nga 37 pikë, derisa St. Galleni e Zurichu i kanë nga 36. Më prapa ka mbetur Sioni me 30 pikë, derisa Yverdoni (24), Grasshopperi (23) dhe Winterthuri (17) janë në pjesën e poshtme të tabelës.

Gazeta e madhe zvicerane, “Blick”, ka bërë një analizë të garës për titull. Dhe ka vlerësuar se Baseli ka gjasa të mëdha të jetë kampion.

“Pasi numrat rrallë gënjejnë, ka shumë gjëra që sugjerojnë që Baseli do të festojë në fund të majit. Baseli ka shënuar më së shumti gola dhe ka pranuar më së paku. Ka bindshëm diferencën më të mirë të golave në ligë. Dhe pasi Baseli ka lojtarin e jashtëzakonshëm të ligës, Xherdan Shaqirin, ka arsye të mira për titullin e 21-të në histori të klubit”, shkruan “Blick”.

Sipas gazetës zvicerane, gjasat e Baselit për ta fituar titullin do të goditen nëse Shaqiri pëson ndonjë lëndim.

Te Baseli janë edhe disa futbollistë shqiptarë. Shumë shqiptarë ka edhe te Lugano e vendit të dytë.

“Te Lugano kanë një plan të qartë për ngritjen e mëtejme, ndërsa ky klub ka përbërjen më të mirë në ligë. Për dallim nga klubet tjera, Lugano asnëjherë nuk ka fshehur faktin që e dëshiron shumë titullin”, shkruan “Blick”.

Por Luganos mund t’i kushtojnë pikët e humbura në xhirot e fundit e po ashtu mund të ndikojë fakti që është e përfshirë në tri fronte. Lugano vazhdon të jetë pjesë e Ligës së Konferencës, ndërsa është në garë edhe për Kupë të Zvicrës.

Për Luzernin, sipas gazetës zvicerane, askush nuk pret që të jetë pretendent për titull, ndonëse ka pika sa Baseli e Lugano.

Por Luzerni ka vazhdimësi në rezultate, ndërsa ka fituar katër ndeshjet në shtëpi në pjesën e dytë të kampionatit.

“Plus” i Servettes është që ka lojtarë që luajnë gjatë së bashku, ndërsa “minus” i kësaj skuadre është që nuk ka shumë konkurrencë në skuadër.

Sipas “Blick”, në garë për titull janë edhe Lausanne, Young Boysi, St. Galleni e Zurichu.

Grasshopperi është klubi më i suksesshëm në Zvicër me 27 tituj. Por titullin e fundit kjo skuadër e fitoi në vitin 2003. Baseli ka 20 tituj, të fundit të fituar në vitin 2017. Servette ka 17 tituj, të fundit në vitin 1999. 17 tituj tani i ka edhe Young Boysi, kampioni në fuqi. Pason Zurichu me 13 tituj, të fundit në vitin 2022. Young Boysi ka dominuar prej edicionit 2017/18 e tutje. Prej atëherë ka pesë tituj, ndërsa dështoi në edicionin 2021/2022 kur kampion u shpall Zurichu.

Gara pritet të jetë e fortë deri në fund, ndërsa është thuajse e sigurt se ndonjëri prej futbollistëve shqiptarë do të festojë në fund. Superliga e Zvicrës është e mbushur me shqiptarë.

Shpërndaje në

U Kopjua