Zgjedhjet parlamentare në Republikën e Kosovës u mbajtën më 9 shkurt. Por më 2 qershor, një tjetër – e 25-ta – përpjekje për të formuar një qeveri të re dështoi. Kështu e nis gazeta ukrainase, European Pravda më shkrim dedikuar situatës në Kosovë.
Prej katër muajsh tashmë, deputetët mblidhen çdo 48 orë për seanca të reja, por nuk kanë arritur ende të bien dakord për ta zgjedhur as kryetarin e Kuvendit dhe as një qeveri të re.
Si rezultat, shteti më i ri i Europës ndodhet në një krizë të thellë politike, pa ndonjë rrugëdalje të qartë.
Zgjedhjet e fundit parlamentare sollën fitore për partinë Vetëvendosje, të udhëhequr nga kryeministri aktual Albin Kurti. Por aty përfundojnë lajmet e mira për të, shkruan gazeta ukrainase.
Partia e tij performoi më dobët se në zgjedhjet e mëparshme, duke fituar vetëm 48 ulëse – 10 më pak se herën e kaluar.
Kjo është qartësisht e pamjaftueshme për ta formuar një shumicë në Kuvendin 120-anëtarësh të Kosovës. Formimi i një koalicioni ka rezultuar jashtëzakonisht i vështirë.
Arsyeja kryesore për krizën aktuale është se opozita kërkon largimin e Kurtit nga pushteti, por nuk mund ta formojë vetë një qeveri.
Si arritëm deri këtu? Së pari, vlen të përmendet se Kurti dhe partia e tij përfaqësojnë një gjeneratë të re politikanësh kosovarë. Një që zëvendësoi ata që kishin luftuar për dhe fituar pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e saj nga fuqitë kryesore perëndimore.
Megjithatë, çmimi i asaj njohjeje ishte dhënia e lëshimeve të mëdha për minoritetin serb, të bëra nën presionin perëndimor. Për shembull, dëshira e Perëndimit për ta “zgjidhur” çështjen e minoritetit serb çoi në ekzistencën e strukturave paralele të qeverisjes në komunat e banuara nga serbë etnikë (kryesisht në veri të vendit).
Kurti ndërmori një qasje shumë më radikale, gjë që është e papranueshme për opozitën. Në një përpjekje për ta sjellë plotësisht veriun e Kosovës nën kontrollin e Prishtinës, kryeministri i përshkallëzoi tensionet me BE-në dhe madje me Shtetet e Bashkuara në nivele të paprecedenta.
Si rezultat, BE-ja vendosi sanksione ndaj Kosovës (edhe pse të buta), ndërsa Serbia nuk u përball me asnjë. Opozita ka frikë se, përballë rreziqeve në rritje për sigurinë, marrëdhëniet e këqija me Perëndimin mund të rezultojnë jashtëzakonisht të kushtueshme për Kosovën.
Në të njëjtën kohë, opozita nuk mund të formojë një qeveri, pasi 10 ulëse parlamentare janë të garantuara për minoritetin serb. Shumica e këtyre mbahen nga partia Lista Serbe, e lidhur drejtpërdrejt me presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili është i interesuar për thellimin e paqëndrueshmërisë politike të Kosovës.
Presidentja Vjosa Osmani nuk ka nxitim për ta shpërndarë parlamentin dhe për të shpallur zgjedhje të reja, pasi nuk është e qartë nëse zgjedhjet e jashtëzakonshme do të bënin gjë tjetër përveçse ta thellonin më tej krizën.
Kriza politike po e rëndon edhe më shumë situatën tashmë të vështirë të Kosovës: një pjesë e madhe e popullsisë jeton në varfëri, dhe vendi po përballet me korrupsion, krim të organizuar dhe trafikim droge, shkruan European Pravda.
Këto sfida mund të kapërcehen vetëm me ndihmën e Bashkimit Europian.
Megjithatë, pengesa kryesore në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE mbetet normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë përmes rifillimit të negociatave. Bisedimet u ngrinë pas sulmit të terroristëve serbë në fshatin Banjskë në Kosovë në vitin 2023.
Ndër sfidat me të cilat përballen deputetët e rinj të zgjedhur të Kosovës është edhe një figurë tjetër e rëndësishme – Richard Grenell, ish-emisari i posaçëm amerikan për bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Grenell mbetet i afërt me presidentin Donald Trump, ka lidhje miqësore me presidentin serb Vuçiq dhe është haptazi kritik ndaj qeverisë së Kosovës.