Live

Gërvalla sulmon Prokurorinë Speciale pasi Peci u intervistua si i dyshuar: Inskenim i Blerim Isufajt

18:53 / 27 Maj 2025

Nga Kosova Live

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka reaguar me tone të ashpra pas aksionit të sotëm të Prokurorisë Speciale që përfshiu ministrin në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci.

Përmes një postimi në Facebook, Gërvalla e cilësoi ndërhyrjen si një “inskenim të gërditshëm” të udhëhequr nga prokurori Blerim Isufaj. Ajo e mbrojti fuqishëm ministrin Peci, të cilin e quajti “ministrin më shembullor të këtij mandati”.

Sipas saj, veprimi i Prokurorisë nuk është asgjë më shumë se një “hakmarrje e shëmtuar” ndaj angazhimit të ministrit Peci në luftën kundër korrupsionit.

“Kur pikërisht ata që e kanë për detyrë ta mbrojnë shtetin ligjor dhe qytetarët e Republikës nga krimi i keqpërdorin organet e drejtësisë për hakmarrje dhe për të njollosur figurat e suksesshme dhe të pastra politike, atëherë asgjë më nuk duhet të na habisë,” shkroi Gërvalla në reagimin e saj.

Ajo përfundon me një mesazh: “Por, kthim prapa nuk ka. Deri në reformimin e plotë edhe të sistemit të drejtësisë.”

Shpërndaje në

U Kopjua