Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, vlerësoi se masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës që nga viti 2023 e deri në maj të vitit 2025 kanë shkaktuar dëme të mëdha, jo vetëm ekonomike, por edhe në fusha të tjera.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Gërxhaliu vuri në dukje se humbjet financiare tejkalojnë shumën prej 700 milionë eurosh.
“Në vitin 2023 deri në maj të vitit 2025 masat e BE-së kanë pasur efekte të shumta negative në Kosovë. Nuk është vetëm aspekti ekonomik, por janë edhe shumë dimensione të tjera, të cilat kanë qenë të goditura.
Besoj që ka qenë obligim që institucionet e Kosovës të bëjnë më tepër përmes partneritetit me shtetet dhe aleatët ndërkombëtarë që këto masa të hiqen sa më shpejt që është e mundur. Për fat të keq, është zgjatur më shumë sesa që është pritur se do të zgjasë, transmeton Klankosova.tv.
Në këtë drejtim kalkulimet e fundit tregojnë se dëmet nga këto masa në aspektin financiar janë më tepër se 700 milionë euro, që është një dëm shumë i madh për ekonominë kosovare. Po ashtu në vitin 2025 kemi një ngërç politik, ku jemi në pritje të krijimit të institucioneve”, tha Gërxhaliu.
Ai tha se pavarësisht nga deklarata e fundit e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, për një heqje graduale të masave, nuk ka ende një vendim zyrtar për këtë çështje.
“Para disa ditësh në Kosovë kur ishte në vizitë zonja Kallas, e ka përmendur një fjali që ka të bëjë me një heqje graduale të masave, mirëpo kërkojmë se a ka vendim për heqjen e masave.
Nëse nuk ka vendim, cilat janë ato masa, të cilat kanë filluar të hiqen dhe ato nuk gjenden. Prandaj në këtë drejtim duhet ta analizojmë një komunikim politik apo diplomatik, bazuar në faktorët dhe rrethanat.
Gërxhaliu sugjeron maturi në këtë fazë dhe se sipas tij duhet mënjanuar euforia pa bazë.
“Nuk duhet të kemi eufori, siç po e bëjnë disa politikanë të partisë fituese, ku ende pa pasur vendim rrahin tupana që ato masa janë larguar, kur kjo nuk është e vërtetë.
Nuk duhet eufori, por angazhim serioz për të bindur partnerët ndërkombëtarë që të hiqen masat ndaj Kosovës. Është thelbësore që Kosova të tregojë mençuri politike dhe të lehtësojë këtë vendim përmes veprimeve të përgjegjshme, sidomos në veri.
Duhen maturi, mbi të gjitha lobim dhe diplomaci që të bindim faktorët ndërkombëtarë që këto masa të hiqen sa më shpejt që është e mundur. Është shumë e rëndësishme që Kosova pas deklaratës së Kallasit të tregojë mençuri politike, angazhim diplomatik, maturi në veri që të mbështesë BE-në dhe aktorët relevantë që mund të marrin vendimin për heqjen e masave dhe Kosova t’ia lehtësojë këtë vendim”, tha ai.